E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Triptiku” i Puçinit vjen në TOB me dirigjimin e Xhana Fratit

“Triptiku” mban përbrenda tri opera: “Manteli”, “Motër Anxhelika” dhe “Xhani Skiki”. Premiera shfaqet të dielën në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit

Petrika GROSI
Ndërsa përgatitjet po shkojnë me sukses drejt fundit, premiera “Triptiku” e Xhakomo Puçinit, që përmban brenda saj tri operat, “Kapota”, “Motër Anxhelika” dhe “Xhani Skiki”, do të ngjitet të dielën (7 dhjetor) në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Libreti i kësaj opere i përket Xhovaçino Forcanos, skenografia Platon Bardhit, regjia Nikolin Gurakuqit dhe kostumet Fondacionit të Teatrit Lirik “Xh. Verdi”. Mjeshtri që do të dirigjojë orkestrën kësaj here është një femër italiane dhe për më tepër, emër premtues në fushën e saj, siç shprehet dhe kritika e huaj mbi mjeshtër-koncertuesen Xhana Frati. Ndër artistët që do të interpretojnë në rolet kryesore të “Triptikut” janë Etleva Golemi, Mariana Leka, Armando Kllogjeri, Sonila Baboçi, Irini Nikolla, Sidrit Bejleri, Shpresa Beka, Erjona Gjyzeli, Erlind Zeraliu etj. Prezantimi i parë i “Triptikut” të Puçinit është bërë në Operan Metropolitane të Nju Jorkut më 14 dhjetor 1918, ndërkohë që ishte parashikuar të kryhej në teatrin “Kostanci” të Romës. Vetë Puçini nuk mundi që të ishte i pranishëm në shfaqjen e premierës në Nju Jork për shkak të situatës të tensionuar ndërkombëtare. Vetëm më 11 janar 1919 u bë e mundur që nën drejtimin e Xhino Marinuzit, një grup artistësh profesionistë të realizonin vëninen në skenën romane të Motër Anxhelikës, duke e rehabilituar veprën nga kritika dërrmuese amerikane. Gjithashtu, sukses pati edhe opera tjetër e “Triptikut”, e titullar “Xhani Skiki”, ndërsa “Manteli” u kritikua ashpër për tejkalimin e së vërtetës në subjekt. Sa i përket operas “Suor Angelica” (Motër Anxhelika) ajo është subjekti i parë origjinal i kompozuar nga Puçini. Në dramën e vajzës së re, të detyruar të bëjë jetën e murgeshës sepse kishte një fëmijë jashtë martese, ishin të gjitha elementet për të zbuluar frymëzimin poetik ndaj Zotit. Dy veprat e Forcanos përfunduan në një kohë rekord dhe me gjithë kompozimin e tyre po aq të shpejtë, Puçini i thelloi veçoritë e ambientit, karakteristikat e personazheve dhe të skenës. Sa i përket operas “Xhani Skiki”, ajo konsiderohet si e vetmja opera buffa e kompozitorit të njohur. Puna mbi këtë opera ishte përqendruar mbi përpjekjen për të nxjerrë në pah karakteret groteske të personazheve të shkujdesur nga domethënia e vdekjes. Xhani Skiki, i njohur në gjithë Firencen për mendjemprehtësinë e tij, thërritet me nxitim nga të afërmit e Buoso Donatit, një tregtar i pasur që sapo ka dhënë shpirt, me qëllim që të shpikë një zgjidhje për t’i shpëtuar nga një situatë e pakëndshme. I afërmi i tyre ia ka lënë pasurinë trashëgim një konvente fretërish, pa lënë asgjë për të afërmit e tij. Skiki parapërgatit planin, që më pas do të shndërrohet në një lojë. Meqenëse askush nuk është në dijeni të vdekjes, urdhëron që kufoma e Buosos të transportohet në dhomën ngjitur, në mënyrë që ai vetë (Skiki) të futet nën mbulesa dhe nga krevati i të vdekurit, duke imituar zërin e tij, t’i japë noterit dëshirat e fundit. Dhe kështu ndodhi në fakt. Skiki shpall përpara noterit dëshirat e fundit, por kur deklaron që do t’ia lërë Skikit (vetes së tij) gjërat më të shtrenjta, mes tyre dhe banesën e hijshme në Firence, të afërmit shpërthejnë si të çmendur. Skiki i dëbon ata nga shtëpia, që tashmë i ka kaluar në pronësi, ndërkohë që jashtë në ballkon, e bija Laureta dhe nipi i ri i Rinuçio Donatit përqafohen pasi prej kohësh kanë rënë në dashuri.

3 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›