Krimet e Rënda: Si janë ndryshuar vendimet tona
Shkalla e Parë “akuzon” Apelin e Krimeve të Rënda dhe Gjykatën e Lartë: E interpretojnë ndryshe ligjin
Gjyqësori në Shqipëri përfshihet nga akuzat e ndërsjella. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda “akuzon” Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda dhe Gjykatën e Lartë, se kanë ndryshuar vendimet e tyre, duke interpretuar ndryshe ligjin dhe si pasojë edhe masën e dënimit. Kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Dritan Hallunaj, gjatë analizës vjetore të institucionit që drejton, tha se këto ndryshime janë problematike, pasi shumë vendime janë prishur nga këto gjykata, për shkak të interpretimeve të ndryshme që i bëhen ligjit dhe neneve të KPP.
Prishja e vendimeve
Nga statistikat e gjykatës rezulton se për 30 çështje penale është vendosur lënia në fuqi e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Kjo për shkak se është konstatuar një gjykim cilësor dhe i drejtë si për sa i përket cilësimit ligjor të veprës, provueshmërisë, ashtu dhe llojit e masës së dënimit, elementë për të cilët edhe Gjykata e Apelit ka arritur në të njëjtin konkluzion si për sa u përket elementëve të arsyetimit të vendimit, ashtu edhe për dispozitivin e tij. Por, për 21 çështje penale është vendosur ndryshim i pjesshëm i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, në disa raste vetëm për një të pandehur, në raste të tjera për cilësimin ligjor, në të tjera vetëm për sa i përket masës së dënimit, duke dhënë një masë më të lartë apo më të ulët dënimi. “Këto janë disa nga rastet kur gjykata nuk ka pranuar gjykimin e shkurtuar, megjithëse kanë qenë kushtet për ta pranuar, si edhe raste të një vlerësimi të ndryshëm të rrethanave që lidhen me individualizimin e dënimit”, thuhet në analizë. Sipas saj, për 18 çështje penale është vendosur ndryshimi i plotë i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda si për sa i përket cilësimit ligjor e për pasojë edhe të masës së dënimit.
Analizat
Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda zhvilluan dje analizën vjetore, ku morën pjesë nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian çela, dhe drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve. Sipas statistikave, numrin më të madh të çështjeve gjyqësore e përbëjnë veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike. Krahas arritjeve, gjykata renditi edhe një sërë problemesh. Ndër to përmendet sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive, pasi në vitin 2007 Gjykata e Lartë ndryshoi ligjin e mëparshëm “Antimafie”. Gjatë analizës së punës, kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda theksoi se për vitin 2009, disa çështje nuk arritën të përfundonin. Në këtë pikë, Dritan Hallunaj tha se kanë qenë avokatët ata që nuk janë treguar korrektë, si dhe moskthimi në kohë i letër-porosive. “Në vijim të reformës në drejtësi, vlerësojmë se është e nevojshme që të bëhen përmirësime të mëtejshme në Kodin e Procedurës Penale, që kanë të bëjnë me vijimësinë e procesit gjyqësor, me korrektësinë e palëve në gjykim, në raportin e gjykatës me subjektet procedurale, duke e gërshetuar këtë me ndryshimet e nevojshme në ligjet e tjera, si ato për profesionin e avokatit, por edhe në ligjin për ndihmën juridike”, tha Dritan Hallunaj. Një tjetër problem për Krimet e Rënda ka qenë edhe neni 158 KPP, që bën fjalë për përjashtimin nga detyrimi për të dëshmuar. Sipas gjyqtarëve, ky nen duhet rregulluar. Interpretimi i ndryshëm i disa dispozitave të ligjit sipas analizës së djeshme ka bërë që të prishen disa vendime të dhëna nga gjyqtarët e Shkallës së Parë. Më e theksuar kjo është te çështjet ku gjykohen personat në mungesë.
#