Ceremonia; Gjyqtarja Mirela Fana bën betimin në Gjykatën e Lartë
U zhvillua dje përpara trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë ceremonia e betimit të gjyqtares së re, znj. Mirela Fana. Anëtarja më e re e Gjykatës së Lartë u betua solemnisht se do t’i qëndrojë kurdoherë besnike Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjeve në fuqi, duke respektuar rregullat e etikës profesionale. Znj. Mirela Fana u dekretua nga Presidenti i Republikës më 14.04.2009 e më pas mori pëlqimin dhe nga Kuvendi i Shqipërisë. Ajo emërohet anëtare e Gjykatës së Lartë, pas një përvoje të gjatë si juriste, duke e zhvilluar profesionin në disa fusha të së drejtës, si hetuese, prokurore gjyqësore, inspektore ligjshmërie pranë Gjykatës së Kasacionit dhe prej vitit 1996 e në vazhdim, gjyqtare ne Gjykatën e Shkallës së Parë, Tiranë. Me emërimin e gjyqtares Fana në Gjykatën e Lartë plotësohet më në fund numri prej 17 gjyqtarësh të përcaktuar për shkallën e tretë të gjyqësorit. Ky numër plotësohet për herë të parë pas tre vitesh, ndërkohë që shkon 16 pas një muaji, për shkak të mbarimit të mandatit 9-vjeçar të gjyqtarit Perikli Zaharia.