E Shtunë, 31 Tetor 2026

Firmosja e shitjes

Me nënshkrimin e dokumentit për kufirin detar në mes të Shqipërisë dhe Greqisë, shqiptarët mund të këndellën dhe të shohin realitetin e para 35 viteve, pra të Konferencës së Helsinkit, më 1974-ën, kur Shqipëria nuk pranoi nënshkrimin e hartës gjeografike dhe mbeti jashtë Bashkësisë Evropiane.
Atëherë dhe sot, për të hyrë në këtë "familje", kushti i parë ka qenë dhe është nënshkrimi i hartës gjeografike me fqinjët. Atë botë, jashtë saj mbetën Shqipëria dhe Turqia, por, për këtë, shqipfolësit e patën kritikuar shumë udhëheqjen e kohës, ndërsa turqit edhe sot mbështesin parimin e kufijve të tyre, pa çarë kokën për të tjerët.
Shqipëria e asaj kohe nuk pranoi të nënshkruajë kufijtë me Jugosllavinë dhe Greqinë, sepse që të dyja kishin territore të okupuara të saj dhe ajo llogariste se një ditë do të kërkonin të drejtën këto dy pjesë të kombit për bashkim. Se sa kishte të drejtë, këtë e dëshmoi edhe koha, kur në territorin e Jugosllavisë shqiptarët bënë luftë të përgjakshme dhe, në mungesë të një politike kombëtare, nuk e arritën qëllimin e merituar dhe të mundshëm për bashkim.
Sot, në 2009-ën, një Kryeministër në Tiranë, Sali Berisha, nënshkruan hartën. Me ardhjen e "demokracisë" në Shqipëri, ndoshta u mor sikur mundet secili të bëjë sipas tekave të veta dhe gabimet u përsëritën njëri pas tjetrit. Fqinjët, duke parë se janë lëshuar livadhet, i yshtën që së pari në "Londrën 2" (1992) të pranojnë kufijtë me ish-Jugosllavinë. Shqiptarët të parët përshpejtuan për ta pranuar Maqedoninë si shtet, madje edhe politika shqiptare përbrenda Maqedonisë, pa e shikuar realitetin e kohës (shqiptarët për gjuhë e flamur vriteshin). Të tjerët sillen ndryshe. Greqia këmbënguli dhe këmbëngul për të përvetësuar emrin, që edhe ashtu nuk është i tyre.
Historianët dhe politikanët bëjnë garë kush më tepër mundet për të sjellë argumente pro et kontra për politikën "esadiste" dhe "zogiste" rreth territoreve shqiptare, që mëtohej e u dhurohej armiqve për të ardhur në pushtet, ndërsa kur sot këto gjëra ndodhën e ndodhin para syve të tyre, heshtin si mjeranë.
Qeveria "Berisha" përshpejtoi. Përshpejtoi për të përmbushur apetitet për të tjerët. U bë shpejt e shpejt diçka që nuk kishin arritur fqinjët tanë ta realizojnë me dekada: zgjerojnë territoret e tyre, madje duke na marrë edhe pika strategjike. Nuk luftohet për djerrina dhe vende anësore të asnjë territori, nëse nuk ka leverdi strategjike, ekonomike, etj. Dhe këtë punë me interes shtetëror e kombëtar, e bën Berisha në kohën kur është në vlug fushate elektorale. Për të siguruar edhe një mandat pushteti, ai e bëri dhe madje edhe u krekos, se kishte arritur të plotësonte kushtin themeltar për të bërë kërkesën e kandidatit për të shkuar në "familjen" e madhe të Bashkësisë Evropiane.
Gjithë kjo lojë tradhtie ndodhi para syrit "kritik" të opozitës dhe shkencës së analitikëve e intelektualëve të pavarur . Dhe jeta vazhdon normalisht, thua se nuk ka ndodhur asgjë?! Opozita ka qenë dashtë e para të reagojë, madje edhe të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme parlamentare, në interpelancë me Berishën dhe të kërkojë sqarime rreth këtij nënshkrimi të kufijve me Greqinë. Nëse nuk do të kishte pranuar Berisha të pranojë një gjë të tillë, apo nëse i kishte ikur së vërtetës, ka mundur të thirret i gjithë populli për të anuluar një nënshkrim të turpshëm e dëmtues.
Kot çirremi për mirëqenie sociale e zhvillim ekonomik, kur pjesë të atdheut amputohen. Avniu nuk e lejoi të bënte tradhti Esat Toptanin, nuk u pajtuan edhe Hasan Prishtina, Avni Rustemi, Bajram Curri, Fan Noli, Ali Kelmendi, Luigj Gurakuqi dhe shumë të tjerë me marrëveshjen e Ahmet Zogut dhe Nikolla Pashiqin, edhe pse disave kjo u kushtoi me kokë.
Që nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta, tradhtia na është bërë modë dhe më shumë shpërblehen njerëzit që bëjnë veprime të tilla, se sa ata që këmbëngulin për të penguar fenomene të tilla. Kjo ka ndodhur e po ndodh në të gjitha territoret shqiptare, në forma të ndryshme, vetëm e vetëm për të ruajtur pushtetin njëra apo tjetra kastë politike.
Shqipëria nuk ka qenë dashtë të përshpejtojë me Greqinë për të nënshkruar marrëveshjen, edhe për një arsye tjetër. Me hyrjen e saj në NATO, ka marrë garanci për ruajtjen e kufijve.
E udhës është që të gjithë shqiptarët, kudo që janë, të kundërshtojnë këtë nënshkrim. Të hulumtohen alternativa për veprim gjithëkombëtar. Duhet përshpejtuar, sepse "vjen bota sipri e me kamb të shklet, e n'i fjalë tambël kurrkush nuk ta flet..."

*Autori, publicist nga Kosova, jeton në Londër

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›