E Shtunë, 31 Tetor 2026

T'i flasësh të sëmurit

Në vendin tonë, shëndeti dhe shërbimi mjekësor kanë një prioritet të madh shoqëror. Problemeve të shëndetit u kushtohet një preokupim i madh dhe investohet mjaft energji, si nga politika, nga ligjvënësit, si dhe nga vetë organizmat shoqërorë. Por, me përparimet teknologjike mjekësore të sotme, edhe shërbimet në këtë fushë po bëhen gjithmonë e më shumë të kushtueshme dhe shpenzimi e investimet për shëndetësinë, është vështirë të plotësojnë kërkesat në rritje të shëndetit të popullit. Reforma që po ndërmerret në fushën e shëndetësisë natyrisht që nuk duhet të jetë vetëm një çështje e fushatës elektorale, po padyshim që ka aspektet e veta ideologjike, ekonomike, etike dhe sociale. Paratë që jepen në shëndetësi kërkohet të alokohen në mënyrë sa më optimale, por ky proces jo rrallë bëhet burim debatesh dhe zhgënjimesh.
Vendi ynë kalon nga një e kaluar jo shumë e largët, kur mjeku konsiderohej "shërbëtor i popullit", në një realitet të ri, ku shërbimi mjekësor është një marrëdhënie e re ndërmjet mjekut e pacientit dhe, që kjo të funksionojë, duhet të mbështetet mbi besimin reciprok dhe transparencën. Ne duhet të arrijmë në një realitet të tillë, ku, sikurse ka thënë Oliver Holmes: "Pacienti të ketë të drejtë të zgjedhë mjekun, sikurse zgjedh një mik të tij". Ndërsa mjeku, nga ana e tij, nevojitet të jetë i kujdesshëm për të sëmurin, i ndjeshëm për vuajtjen e tij, aktiv dhe i përgjegjshëm në procesin e shërimit të tij. Këto kërkesa ndaj mjekut nuk e shenjtërojnë atë, por thjesht e bëjnë të kryejë mirë një shërbim ndaj të sëmurit. Kryesorja nuk është që mjeku të ketë sa më shume certifikata specializimi në filan spital me famë jashtë shtetit, por ai duhet të komunikojë me shqetësimet e pacientit dhe të jetë i pranishëm në mjedisin ku bën pjesë.
Mirëpo, puna e shumtë dhe rutina e përditshme mund ta kthejnë spitalin apo qendrën shëndetësore në një fabrikë ku mungon humanizmi, ku mjeku nuk ka kohë të ketë shumë kontakt më të sëmurin e tij. Sa mirë do ishte që mjeku i familjes, p.sh., të shkonte për vizitë tek shtëpia e pacientit të tij. A nuk do kuptonte më mirë aty 'backgroundin" e jetës së pacientit të tij? Simptomat klinike të të sëmurit që mjeku përpiqet të njohë, nuk janë kurrsesi një tablo e shkëputur e jetës së të tij, por janë të lidhura ngushtë me vendin ku jeton i sëmuri, me punën e tij, me të afërmit, me miqtë e tij, me gëzimet, me brengat, me shpresën dhe me frikën që përjeton. Çdo vizitë mjekësore mund të kthehet, përveçse në synim për trajtimin mjekësor, në një bisedë të ngrohtë me pacientin. Kësisoj, bashkëbisedimi me të sëmurin bëhet i pandashëm me diagnozën dhe mjekimin.
Pa dashur të bëj avokatin e pacientit, do të pohoja se i sëmuri ka të drejtë të dijë realitetin e sëmundjes së tij. Pacienti ka të drejtë të dijë si trajtohet sëmundja që e ka zënë atë, si është ecuria e saj dhe ç'pasoja ka për jetën e tij. Por, shumë herë e ka të vështirë ta realizojë një gjë të tillë. Shumë mjekë e trajtojnë atë si një injorant që nuk di të marrë vendime për veten e tij. Sipas disa mjekëve, pacienti nuk është kompetent për të kuptuar apo për të përballuar emocionalisht problemet e sëmundjes së tij, madje ka patur dhe arsyetime sikur një pacient i informuar përbën një kërcënim për statusin profesional të mjekut. Nganjëherë, mjeku vetëm me heshtjen e tij, nuk bën gjë tjetër, veçse shton ankthin e pacientit dhe e bën atë të fantazojë gjëra të paqena. Duhet të dimë se çdo pacient që paraqitet tek mjeku, ka dy sëmundje, jo një: përveç sëmundjes për të cilën diagnostikohet dhe mjekohet, ai ka dhe një sëmundje tjetër, që quhet frikë. Në qoftë se mjeku trajton vetëm njërën sëmundje, por jo tjetrën, atëherë ai e ka kuruar për gjysmë të sëmurin. Shumë mjekë mendojnë se, t'i flasësh të sëmurit për limitet e mjekimit që po bën dhe pasigurinë në rezultatin e trajtimit, nuk bën gjë tjetër, veçse minon suksesin e trajtimit. Kësisoj, këta mjekë ndjehen më komodë të marrin vetë vendime për pacientin e tyre. Po a është e drejtë kjo? Të veprosh kështu, ke mohuar, në një farë mënyre, të drejtat e pacientit, pavarësisht se mjekut i duket se po vepron për të mirën e pacientit. Veç asaj, duke u dobësuar lidhja ndërmjet mjekut e pacientit (disa mjekë madje nuk e japin as numrin e telefonit të tyre), ndodh që ata bëhen të largët për njëri-tjetrin dhe shumë herë pacienti, që në të vërtetë ka nevojë për këshillat e mjekut, për miqësinë e tij dhe informacionin mjekësor, fillon dhe e kërkon gjetkë këtë informacion. Kjo bën që shumë herë ta marrë atë në mënyrë të deformuar dhe të gabuar, duke u drejtuar miqve, të afërmve të tij, infermierëve jo fort të përgatitur, mjekëve popullorë e ndonjëherë ca sharlatanëve që pretendojnë se dinë t'i shërojnë të gjitha sëmundjet. E keqja është se ne shohim jo rrallë edhe në media "zanatçinj" që japin këshilla për gjithçka: edhe për lajthitjet e trurit, edhe për sëmundjet e grave, edhe për ëndrrat, edhe për tëmthin, edhe për gurët e veshkave, madje janë kompetentë edhe për të gjithë llojet e kancereve. Kjo bën që të sëmurët të marrin, në fund të fundit, disa mjekime që nuk janë gjëkundi të azhurnuar dhe adekuatë, dhe përfundimi është shumë herë fatkeq. Ne të gjithë që themi e pretendojmë se jemi pjesa e përparuar dhe e iluminuar e shoqërisë, e kemi për detyrë t'i ruajmë pacientët nga këta ofrues spekulatorë të shëndetit.
Sot, problemi i marrëdhënieve mjek-pacient është në evoluim e ndryshim të vazhdueshëm, sikurse ndryshojnë vazhdimisht karakteristikat e veçoritë e sistemit shëndetësor në shoqërinë tonë. Së pari, mjeku sot shihet si dhënësi i shërbimit, ndërsa pacienti është konsumatori i këtij shërbimi. Këto marrëdhënie mjek-pacient, rregullohen jo vetëm me moralizime, por së pari duke krijuar rregulla e ligje për të drejtat e pacientit, duke përkrahur shoqatat e pacientëve, të grupeve të veçanta të sëmundjeve, duke intensifikuar njohuritë dhe informacionin mjekësor nëpërmjet mjeteve të komunikimit masiv, duke ndryshuar statusin e doktorëve, duke ruajtur e lartësuar figurën e tyre dhe duke ndryshuar mënyrën e menaxhimit të sistemit shëndetësor, sipas një modeli financiar më të përshtatshëm e të mjaftueshëm ndaj kostove të trajtimit mjekësor.
Duke përfunduar, mendoj se përpara mjekëve del e domosdoshme që, përveç aftësimit profesional dhe kualifikimit të vazhdueshëm në disiplinën përkatëse, të përpiqen të perfeksionojnë atë që quhet: mjeshtëria e të komunikuarit. Ky është një mjet shumë i rëndësishëm për të arritur, në fund të fundit, në suksesin e trajtimit, që është qëllimi final i punës së tij. Ndoshta s'duhet harruar paralajmërimi i një mjeku të shquar (Osler), gati një shekull më parë: "Është më e rëndësishme të dimë çfarë lloj pacienti e ka sëmundjen, se sa të dimë se çfarë lloj sëmundjeje ka pacienti".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›