Treni aksidenton për vdekje 20-vjeçarin, kalonte shinat
Një 20-vjeçar që ka tentuar të kalonte shinat e trenit, në afërsi të Kodër Kamzës në Tiranë, ka gjetur vdekjen, pasi është përplasur nga treni i linjës Vlorë-Tiranë. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, rreth orës 11:00, kur Saimir Elezi, 20 vjeç, ka zgjedhur të mos ecë në mbikalim, por të kalojë shinat e trenit. Koha për këtë veprim nuk ka qenë e mjaftueshme për të riun, pasi treni që po vinte nga Vlora në drejtim të Tiranës, e ka marrë përpara për gati dhjetë metra, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Burime nga policia e kryeqytetit bënë të ditur se për 20-vjeçarin nuk ka pasur asnjë mundësi për ta shpëtuar nga vdekja, ndërkohë që është marrë në pyetje makinisti i trenit, i cili ka dhënë shpjegimet e tij rreth ngjarjes. Të njëjtat burime sqaruan se në zonën ku ka ndodhur aksidenti fatal, nuk ka asnjë rrugë të përshtatshme për këmbësorët, që të kalojnë shinat e trenit, përveç një mbikalimi ilegal, që edhe ai paraqet një rrezikshmëri tjetër. Kjo pasi është jashtë çdo lloj standardi. Ndërkohë makinisti i trenit, në dëshminë që ka dhënë në polici, ka shpjeguar se ngjarja e rëndë ka ndodhur brenda pak sekondash, sa edhe pse ai ka tentuar të frenojë, nuk ka arritur të mos e përplasë 20-vjeçarit. Sipas tij, ai nuk ka pasur hapësirë dhe as kohë për të shmangur aksidentin fatal. Pas kësaj ngjarje të rëndë, që nuk është e para për kryeqytetin, kanë nisur hetime edhe në lidhje me mbikalimin që ishte ndërtuar në mënyrë të jashtëligjshme mbi shinat e trenit në Kodër Kamëz.