Asgjësohet grupi që trafikonte heroinë nëpër shkolla, pesë veta në pranga
FIER- Fieri, i përfolur prej kohësh si një ndër pikat tranzite të trafikut të drogave të forta, është bërë qendra e një operacioni që ka përfunduar me arrestimin e disa personave që dyshohet se ishin një grup i organizuar. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se në kuadër të operacionit “Start 2” është bërë e mundur të sekuestrohen 800 gr lëndë narkotike e llojit heroinë. Një pjesë e drogës është gjetur në banesën e shtetasit Ardian Tepa, i cili ka rënë në prangat e policisë. Rreth 550 gr heroinë është gjetur në banesën e Bledar Alesit. Poseduesit e drogës janë arrestuar menjëherë nga forcat e policisë. Policia ka bërë të ditur se përveç Tepës dhe Alesios, janë arrestuar edhe tre persona të tjerë, të dyshuar për trafik narkotikësh. Sipas burimeve policore, ata janë shtetasit Florian Hajro, Luiz Handari dhe Todi Cumbashi, banues në qytetin e Fierit. Po ashtu, njoftohet se është ndaluar edhe një i moshuar. Pasi është marrë në pyetje, ai po hetohet në gjendje të lirë. Emri i tij nuk është bërë i ditur për çështje hetimi. Policia dyshon për sasi të tjera heroine të fshehura në vende të tjera. Personat e dyshuar operonin në shpërndarjen e drogës kryesisht në shkollat e mesme të qytetit të Fierit. Pak ditë më parë, vetëm 1 javë pas arrestimit të presidentit të Klubit të Elbasanit, Arben Laze, u organizuan disa aksione policore në Elbasan, Tiranë dhe Fier, ku u bllokua një sasi e konsiderueshme droge dhe u arrestuan katër persona. Edhe për këtë rast janë hedhur dyshimet se pesë të arrestuarit mund të jenë pjesë e rrjetit të trafikut ndërkombëtar të heroinës.
TË ARRESTUARIT
Ardian Tepa, 25 vjeç, banor i lagjes “Konferenca e Pezës” në Fier
Luiz Hajdari, 23 vjeç, banor i lagjes "8 Shkurti" në Fier
Florian Hajro, 25 vjeç, lindur në Fier, banues në Lagjen Nr. 3 në Tiranë
Todi Cumbashi, 38 vjeç, banues në lagjen “16 Prilli” në Fier
Bledar Alesi, 28 vjeç, banues në lagjen “15 Tetori” në Fier
19 Janar 2009