Pranga bashkëshortëve trafikantë
02/02/2005 ELBASAN - Përfundojnë në prangat e policisë tre shpërndarës droge të cilët kishin ndërtuar një mënyrë të veçantë për të fituar të holla. Në një lokal në lagjen “Skëndërbej” të qytetit të Elbasanit dy bashkëshortë të ndihmuar nga një i afërm nga Durrësi bënin pjesë në një rrjet, ku furnizoheshin përdorues të kokainës. Burime zyrtare nga policia bënë të ditur se pasi u bë i mundur lokalizimi i objektit dhe kontrolli menjëhershëm i tij, u bllokuan 7.3 gram kokainë. Sasia e drogës ishte e paketuar në 8 doza gati për shpërndarje. Mësohet se janë prangosur Sali Aliu 44 vjeç dhe Fatmira Aliu 40 vjeç, të cilët ishin administruesit e lokalit, ndërsa i afërmi i tyre Flamur Mema 42 vjeç lindur dhe banues në Durrës, bënte pjesë në këtë rrjet, i cili pritet të zbardhet edhe më tej gjatë hetimeve.