E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngec Kodi Zgjedhor, PS e PD nuk kanë arritur konsensus të plotë

Negociatat mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për Kodin Zgjedhor kanë ngecur. Burimet nga të dyja kampet sqarojnë për "Shqip" se nuk ka konsensus të plotë për draftin e hartuar. Ndonëse është gjetur gjuha e përbashkët për shumicën e neneve, ka ende disa pika, për të cilat qëndrimet janë të ndryshme. Këto konsiderohen arsyeja se pse po pengohet firmosja e kodit të ri zgjedhor brenda muajit tetor, siç ishte paralajmëruar dhe premtuar. Sot dhe nesër është parashikuar të negociohet, në të kundërt do të kërkohet shtyrja e mandatit të komisionit të paktën edhe për një javë të muajit të ardhshëm.

Bllokimi

Kur çdo gjë pritej të konkretizohej, diçka ka ndryshuar. Hedhja e firmës duket ende e papërcaktuar dhe PS e PD do t‘u drejtohen negociatave të tjera. Burimet nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar i Reformës Zgjedhore sqaruan se sot dhe nesër pritet të kryhen takime në nivel ekspertësh, sa u takon pikave të diskutueshme. Në rast se nuk do të arrihet të sheshohen diferencat, do duhet të kërkohet një shtyrje tjetër e mandatit të komisionit. Po sipas burimeve, kjo shtyrje mbase do të kërkonte një mandat tjetër njëjavor, për të mundësuar votimin e kodit të ri në parlament në muajin nëntor. Prej dy-tre ditësh është pritur që ekspertët e dy palëve të ulen për të paraqitur versionet e konsensusit për pikat që kanë të bëjnë me administrimin e zgjedhjeve. Çështje kjo tejet delikate, që ndan natyrshëm dy palët në qëndrimet e tyre. Ajo çka është e qartë ka të bëjë me reduktimin e numrit të këtyre komisionerëve, por mbeten palët e ndara sa i takon përbërjes. Socialistët patën insistuar te komisionerët jo politikë ose në rastin më të keq një zgjidhje të mesme. Duke u deklaruar krejt kundër idesë se ata që do administrojnë proceset do jenë njerëz partiak. Një tjetër çështje, që pretendohet të jetë objekt i diskutimeve, ka të bëjë me çështjen e ankimimeve.

Ecejaket

Në momentin kur u firmosën dispozitat kalimtare për zgjedhjet e pushtetit lokal, në vitin 2007, u premtua një ndërhyrje e shpejtë dhe e plotë në kuadër të reformës zgjedhore. Partitë u angazhuan të bëjnë "operacionin" sa më shpejt për të garantuar një herë e mirë zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri. Por, në këtë tentativë, rruga do të ishte shumë e çoroditur, por jo e papritur për publikun shqiptar. Parlamenti arriti shumë vonë të ngrinte një komision të posaçëm të reformës zgjedhore, por që nuk arriti të zhvillonte asnjë mbledhje në mandatin e parë. Më tutje, puna e tij u shty në disa momente, duke krijuar idenë se nga çështja e reformës do të kryhej në kohë. Në fund të tetorit skadon afati i radhës i këtij komisioni dhe duket se nuk do mund të ketë një produkt. Mbase mesi i muajit nëntor mund t‘u japë shqiptarëve, nëse ekziston vullneti politik, ligjin e ri elektoral. Në mbledhjet e kryera deri më tani është deklaruar se dy partitë e mëdha kanë rënë dakord për pjesën më të madhe të kodit të ri. Negociatat deri më tani janë zhvilluar kryesisht në nivel ekspertësh, ku demokratët përfaqësohen nga Oerd Bylykbashi dhe socialistët nga Damian Gjiknuri. Afati i përcaktuar si i mundshëm për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare është muaji qershor i vitit 2009. Po sipas ligjit, nuk lejohet ndërhyrje në kodin zgjedhor 6 muaj para zgjedhjeve. Kjo do të thotë se afati i fundit për të kryer reformën në përputhje me ligjin është fundi i muajit dhjetor të këtij vitit.

Emigrantët

Lobingu për të drejtën e votës

Për herë të parë, faktorë të ndryshëm në vend lobuan për të garantuar të drejtën e votës për emigrantët. E para ishte Lëvizja Socialiste për Integrim, që në platformën e saj zgjedhore pas procesit të lokaleve 2007 propozoi sanksionimin e kësaj të drejte. Diçka që u përsërit më fuqishëm më pas prej lëvizjes G99. Këta arritën ta çojnë shqetësimin deri në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore në një seancë dëgjimore. Palët duket se parimisht kanë rënë dakord të njohin ketë të drejtë në Kodin e ri Zgjedhor.

Insistimi

Të vegjlit kërkojnë transparencë

Drejtuesit e partive të vogla prej muajsh kërkojnë të mos kalohet në fshehtësi reforma zgjedhore. Ata kanë shprehur shqetësim për negociatat, sipas tyre, të "errëta" mes përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Teksa i kanë akuzuar se po ndërmarrin një pakt që cenon zgjedhjet e ardhshme dhe dëmton interesat e partive të vogla. Më e zjarrta në qëndrimet e saj publike natyrisht është Lëvizja Socialiste për Integrim. Funksionarët e saj kanë bërë me faj Kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës, Edi Rama.

Ndërkombëtarët

Të nxitohet me ndërhyrjen në kod

Faktorët ndërkombëtarë në disa momente kanë kërkuar me forcë që të mos vonohet në kryerjen e reformës zgjedhore. Teksa përshëndetën ndryshimin e sistemit të ri zgjedhor drejt atij proporcional rajonal, ata i bënë thirrje klasës politike të plotësonte pjesën e mbetur. Në këtë linjë, pak ditë më parë, ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh, tha se i është premtuar që reforma zgjedhore do të mbyllet brenda muajit nëntor. Qëndrimi i Bosh ka qenë në gjatësi të njëjtë vale me përfaqësuesit e tjerë të diplomacisë evropiane në kryeqytetin shqiptar.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›