Zyra e përgjimeve të celularëve, pa drejtues
17/06/2005 Për afro një muaj e gjysmë që zyra e përgjimit e ngritur pranë qendrës së Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) ka nisur funksionin e saj, vazhdon të jetë pa drejtor. Afro 50 punonjësit, të cilët janë emëruar pranë kësaj zyre, presin shefin e tyre për të marrë direktivat dhe për të raportuar. Lajmi është bërë dje i ditur për gazetën nga burime pranë SHISH-it dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Burimet kanë pohuar se ende nuk është vendosur një drejtues i kësaj zyre, por nuk bën të ditur shkaqet e mosvendosjes së tij. Ndërkaq, burimet pohuan se të gjithë punonjësit e kësaj zyre janë trajtuar me rrogë që prej fillimit të punës. Me anë të kësaj zyre mund të përgjohen të gjitha bisedat telefonike celulare, që në momentin që ato kryhen. Nëse një numër i caktuar futet në përgjim, atëherë mund të regjistrohet gjithë biseda që ai kryen, si dhe ajo e biseduesit të tij. Madje, arrihet të lokalizohet edhe numri me të cilin ky person po bisedon në celular. Tani nuk është e nevojshme të kryehen përgjimet ambientale, por mund të zbardhet çdo bisedë që kryhet me anë të telefonave celularë të të dy kompanive në vend. Në çdo vend që mund të ndodhen personat e përgjuar, gjithë biseda që ata kryejnë zbulohet. Aparatura që kryen këtë përgjim është dhuratë e qeverisë angleze dhe kushton rreth 1 milion dollarë. Ndërsa, stafi përbëhet nga afro 50 specialistë të SHISH-it dhe Prokurorisë. Burimet pohojnë se nën përgjimet e Prokurorisë do të nënshtrohen të gjithë ata numra celularë, poseiduesit e të cilëve janë nën hetim për trafiqe e krime të ndryshme. Për të disponuar një përgjim zyrtar që përdoret në cilësinë e provës materiale, Prokuroria duhet t’i kërkojë leje gjykatës, e cila vendos. Burimet theksojnë se me hapjen e kësaj zyre, shpresohet që lufta kundër krimit të organizuar të thjeshtëzohet.