Pranga dy hajdutëve, që hiqeshin si policë
Nëpërmjet aktivitetit të tyre të vjedhjes, ata kishin siguruar edhe tri tabela me mbishkrimin "Ministria e Brendshme" dhe "Policia Rrugore". Veç këtyre, kishin edhe një radio marrëse-dhënëse. E këto ishin mjetet më të mira për t‘u shpëtuar kontrolleve të policisë, pasi ata kryenin ndonjë vjedhje. Këto janë dyshimet e Policisë së Tiranës, e cila ka vënë në pranga Luan Begën dhe Julian Shehun, që sipas të dhënave janë protagonistët që përdorin këto shenja për të shpëtuar nga arrestimi. Sipas të dhënave policore, arrestimi i tyre është bërë në orët e vona të së dielës, kur ata janë zbuluar nga një biznesmen, teksa kishin hyrë në pronën e tij për të vjedhur. Drejtoria e Policisë së Tiranës deklaroi zyrtarisht se nga shërbimet e Komisariatit nr. 3 u arrestuan në flagrancë shtetasit Luan Nezir Bega dhe Julian Kujtim Shehi, 33 e 17 vjeç, banues në Fushë-Mëzes. Grupi hetimor shpjegoi më tej në lidhje me arrestimin e tyre, se rreth orës 22.00 të së dielës, në rrugën "Jordan Misja", në bashkëpunim, u kapën duke vjedhur në objektin e firmës "Aibit Dibra", në pronësi të shtetasit Avdyl Ali Ziko, 59 vjeç, banues në Tiranë. Ata janë zbuluar nga të zotët e pronës dhe menjëherë është njoftuar policia, që ka bërë shoqërimin e tyre, bashkë me mjetin që lëviznin. Sipas të dhënave policore, gjatë kontrollit në mjetin e tyre, në cilësinë e provës materiale, u bllokuan dy pjesë këmbimi "Vidbal", një palë gërshërë metalprerëse, tre tabela me mbishkrim "Ministria e Brendshme" dhe "Policia Rrugore" dhe një radio marrëse-dhënëse. Për këta dy persona, policia ka ngritur dyshimet se mund të kenë kryer një sërë vjedhjesh dhe duke përdorur shenjat policore, kanë mundur të arratisen dhe të zhdukin gjurmët, sipas mënyrës së tyre.
Ble. Gi.
Ble. Gi.