E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshqitje dheu në autostradën e re Gjirokastër-Tepelenë

Reshjet e shiut të ditëve të fundit kanë rishfaqur problemet e rrëshqitjeve të dheut në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë. Në vendin e quajtur Shkalla e Zezë, rrëshqitja e një masivi të madh dheu ka krijuar probleme me qarkullimin. Fenomeni është shfaqur gjatë orëve të para të ditës së djeshme, ndërkohë që paradite shkëputja e një masivi të madh dheu ka ndërprerë qarkullimin për 30 minuta. Ndërhyrja e mjeteve të rënda të Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Rrugëve ka normalizuar situatën. "Falë kujdesit dhe ndërhyrjeve të kryera në mënyrë të pandërprerë nga mjetet e rënda, është bërë e mundur që segmenti rrugor përballë fshatit Hormovë të Tepelenës të mbetet i qarkullueshëm. Gjatë 24 orëve të fundit janë krijuar probleme, si rezultat i rrëshqitjeve të dherave dhe gurëve nga shpati i malit, por tashmë situata është nën kontroll", tha për "Shqip" drejtori i Drejtorisë Rajonale të Rrugëve, Paqësor Aliko. Ky segment rrugor ka krijuar jo pak herë probleme. Gjatë ndërtimit në një gjatësi rreth një kilometër të autostradës së re Gjirokastër-Tepelenë, përfaqësues të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transporteve deklaruan se ky segment i rrezikshëm rruge do të riprojektohet. Ishte menduar që shmangia e rrezikut të përhershëm të rrëshqitjeve, do të bëhej duke devijuar rrugën në krahun e majtë të rrjedhës së lumit Drino, por ende nuk është bërë asgjë. Afrimi i stinës së dimrit ka rishfaqur edhe njëherë problemin e rrëshqitjeve të dherave.

En.Se.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›