E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga grabitësit të postës, i sapokthyer nga Holanda

 

POLIÇAN/ DILAVER XHELILI

Arrestohet grabitësi i 1.5 milionë lekëve të pensionistëve të Poliçanit. I kthyer rreth katër muaj më parë nga Hollanda, 30-vjeçari Saimir Zylyftari, u identifikua si autor i kësaj ngjarjeje. Policia organizoi operacionin e koduar “Kasaforta” dhe dje në orën 08:00 të mëngjesit arrestoi në banesën e tij në Poliçan, Zylyftarin. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij blutë gjetën në një thes shumën prej 850 mijë lekësh. Ndërsa pjesa tjetër e parave dyshohet se posedohet nga persona të tjerë, të cilët pritet të arrestohen. Policia sekuestroi edhe një celular të tipit Nokia si dhe automjetin me targë DR 7835 E, Renault Clio. Policia e Beratit nuk bëri të ditur të dhëna në lidhje me   numrin e bashkëpunëtorëve. Kjo për shkak se çështja është ende në hetim. Por sipas burimeve, dosja është kopsitur me emra konkretë dhe nga momenti në moment mund të kryhet edhe arrestimi i bashkëpunëtorëve, për të cilët nuk bëhet e ditur nëse janë punonjës të postës. Në fakt, një dyshim i tillë është ngritur,  pasi të nesërmen e ngjarjes, mbi kasafortën e hapur ku ishin grabitur paratë është gjetur edhe çelësi me të cilën ajo ishte hapur. Dyshohet se grabitësit nga nxitimi mund ta kenë harruar çelësin pasi kanë hapur kasafortën. Pas hetimeve të kryera, blutë kanë rënë shumë shpejt në gjurmët e “kokës” së kësaj grabitjeje, i cili mësohet se ka pasur precedentë të mëparshëm në vendin tonë po për vjedhje, e madje për ketë vepër ai ka kryer edhe dënim. Zylyftari, i martuar është prangosur në shtëpinë e tij ndërsa ka pranuar akuzën e grabitjes. Burime të policisë bënë të ditur se emri i Saimir Zylyftarit është skeduar në listën e personave të kërkuar në disa shtete të Evropës, si Hollanda apo Franca. Ai ka kryer edhe në këto shtete vjedhje seriale të banesave, ndërkohë që është i implikuar edhe në veprimtarinë e narkotikëve po në këto dy shtete, madje ka kryer edhe dënim për këto vepra.
Vjedhja e 1.5 milionë lekëve u realizua mbrëmjen e 5 majit. Autorët depërtuan në filialin e postës së Poliçanit, duke u futur më parë në një lokal që ndodhej ngjitur me të. Më pas ata arritën të shembin një pjesë muri, nga i cili kaluan në ambientet e postës. Me anë të një çelësi, për të cilën policia nuk jep detaje për efekt hetimi se si ka rënë në duart e grabitësve, ata kanë hapur kasafortën dhe morën që andej paratë, që pak orë më pas do t’iu shpërndaheshin pensionistëve të këtij qyteti. Pas ngjarjes, Kryebashkiaku i Poliçanit i bëri thirrje ministrisë përkatëse të çelte një tjetër fond për këta pensionistë.

Caushi: Me precedentë në Hollandë e Francë
Pas grabitjes së 1.5 milionëve, policia e Beratit ngriti një grup hetimi me specialistët më të mirë të saj. Pas një pune katër ditore, ata arritën në binin në gjurmët e autorëve e më pas të organizonin edhe operacionin “Kasaforta”. Si rezultat u arrestua 30-vjeçari me precedentë penale jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Francë e Hollandë. Në krye të operacionit të djeshëm ishte vetë kreu i policisë së Beratit, Benard Çaushi. Sipas tij, kjo ngjarje u vlerësua maksimalisht nga strukturat e policisë, të cilët nisën menjëherë punën dhe brenda pak ditëve finalizuan me prangosjen e autorit dhe sekuestrimin e një pjese të parave. Sipas Çaushit, Zylyftari njihej si kontingjent jo vetëm në vendin tonë por edhe në shtete të Evropës si Hollanda dhe Franca. Kreu i policisë theksoi se  strukturat që ai drejton janë gjithnjë në gatishmëri, për të vënë para drejtësisë autorët e veprave të ndryshme penale. d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›