E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga inspektorit të pyjores, mori ryshfet

04/12/2009  Ishte në detyrë, nuk ndaloi automjetin me dru të prerë kundër ligjit

Policia: U verifikua që mori 1 mijë lekë, lënda drusore pa dokumentacion

SHKODER- Favorizoi një makinë me lëndë drusore pa dokumente kundrejt një bakshishi dhe një inspektor i Policisë Pyjore ka përfunduar në pranga. Një inspektor i Policisë Pyjore të qarkut Shkodër ka rënë në prangat e uniformave blu të Shkodrës, pasi në vend që të ndalonte një mjet që po transportonte lëndë drusore, ai e ka lejuar të vazhdojë rrugën kundrejt një shume prej 1 mijë lekësh. Sipas informacioneve nga policia e qarkut Shkodër, ditën e djeshme është arrestuar 49-vjeçari Gjin Deda me detyrë inspektor në shërbimin e Policisë Pyjore Shkodër. Arrestimi i inspektorit u bë për arsye se më dt. 02.12.2009, në orën 21.20, ky shtetas ka qenë me shërbim në postbllokun tek Ura e Mesit me Policinë Pyjore dhe ka ndaluar një automjet kamion pa targa të ngarkuar me lëndë drusore. Inspektori i Policisë pyjore pasi i ka marrë një shumë prej 1.000 lekësh e ka lënë mjetin të kalonte. Ndërkohë që vetëm pak minuta larg postbllokut të pyjorëve, kanë qenë policët e rendit të komisariatit të Shkodrës, të cilët e kanë ndaluar kamionin me lëndë drusore. Nga verifikimet e bëra rezultoi se drejtuesi i mjetit nuk kishte dokumentacion për lëndën drusore që kishte ngarkuar, (pa fletë dalje dhe pa leje transporti). Pas marrjes në pyetje të drejtuesit të mjetit dhe çudisë se si ai ka mundur të kalojë postbllokun e pyjorëve që gjendeshin tek Ura e Mesit, është mësuar se ka qenë vetë inspektori i Policisë Pyjore ai që kundrejt një shumë prej 1 mijë lekësh ta kishte lejuar shoferin e kamionit të vazhdonte rrugën për më tej. Kaq u ka mjaftuar uniformave blu që të bëjnë ndalimin e inspektorit të pyjores, duke ngritur ndaj tij akuzat për veprën penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë profesione publike”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›