E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga policit, spiunonte operacionet antidrogë

HETIMI/ 34-vjeçari Shpëtim Guri akuzohet se është dezertuesi i rreth 10 operacioneve të kryera nga policia e Shkodrës

SHKODËR - Paguhej nga shteti për të luftuar kultivimin e drogave, por ka zgjedhur që t’i mbrojë ato. Shpëtim Guri, specialist i Seksionit të Luftës Kundër Drogës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër, u vu në pranga dhe akuzohet për «shpërdorim detyre». Sipas policisë, Guri kishte sinjalizuar disa herë kultivues të bimëve narkotike për aksionet e policisë, duke bërë që këto aksione të dështojnë, madje ai kishte dhënë informacione të tjera, në mënyrë që aktiviteti i kundraligjshëm i kultivimit të bimëve narkotike në zonën e Postribës të mos dëmtohej. Duke qenë se policia kishte dështuar rreth 10 herë në operacionet antidrogë të zhvilluara në këtë zonë, dyshimet ranë mbi Gurin dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm nisi hetimin. Pas hetimeve që zgjatën për një periudhë tremujore, u bë e mundur sigurimi i provave dhe dokumentimi ligjor i aktivitetit kriminal të policit Guri, si dhe të dy personave të tjerë: Fatjon Kurtaj, 26 vjeç, dhe Ndriçim Fikaj, 34 vjeç. Gjatë hetimit të kësaj çështjeje rezultoi se punonjësi i policisë, me detyrë specialist i Seksionit të Luftës Kundër Drogës, kishte konsumuar elementet e veprës penale të «shpërdorimit të detyrës», duke u garantuar mbrojtjen dy personave të arrestuar, të cilët kanë kultivuar rreth 7000 rrënjë bimë narkotike. Këto bimë janë asgjësuar nga forcat e Drejtorisë së Policisë Qarkut gjatë operacioneve të organizuara në muajt gusht e shtator në fshatrat e komunës Postribë. Për këto bimë të asgjësuara procedimet penale fillimisht nisën pa autorë. Kanë qenë veprimet e kryera nga SHKB ato që zbuluan se oficeri i policisë kishte lidhje pikërisht me këta dy kultivues të bimëve narkotike. Materialet hetimore të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm iu paraqitën Prokurorisë së Shkodrës, e cila nxori urdhër-arrestin për tre shtetasit. Ndalimi i oficerit të policisë, Shpëtim Guri, u bë pas një mbledhjeje në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës. Në përfundim të mbledhjes Gurit iu kërkua dorëzimi i armës dhe i mjetit identifikues. Mësohet se 34-vjeçari nuk ka reaguar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›