E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëmbim zjarri, 4 të plagosur



KURBIN/ ROLAND NIKOLLI

Konkurrenca në treg shkaktoi mbrëmë shkëmbim zjarri në qytetin e Laçit. Për pasojë, katër persona u plagosën rëndë, ndërsa autori i arrestuar pësoi dëmtime më të lehta. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:15 në lagjen Nr.3, në afërsi të tregut industrial të qytetit të Laçit. Sipas policisë, Paulin Prendi, 42 vjeç dhe Dedë Koliçi, 40 vjeç, kanë shkëmbyer zjarr mes njëri-tjetrit pas një konflikti banal të ndodhur mes tyre. Gjatë shkëmbimit të zjarrit mbetën të plagosur rëndë Liljana Prendi 42 vjeçe, djali i saj, Mikel Prendi, 16 vjeç, Fitnete Osmani, kalimtare e rastit si dhe Dedë Koliçi. I lënduar lehtë mbeti edhe protagonisti i kësaj ngjarjeje, Paulin Prendi. Ky i fundit u arrestua vetëm pak minuta pas ngjarjes. Mësohet se konflikti kishte nisur që në mëngjes, kur gratë e Prendit dhe Koliçit kishin debatuar me njëra-tjetrën për vendin në tregun industrial ku ato ushtronin aktivitet privat. Pas sherrit ndërmjet grave, ngjarja precipitoi më tej pasdite, ku Dedë Koliçi dhe Paulin Prendi janë ofenduar dhe më pas janë kapur fizikisht me njëri-tjetrin. Ngjarja vijoi kur në konflikt u futën edhe persona të afërm të Koliçit, duke e rrahur 42-vjeçarin. Ky i fundit ka shkuar në banesën e tij duke marrë një armë automatike. Ai shkoi sërish drejt tregut të qytetit, ku tregtarët ishin në momentet e fundit të mbylljes dhe qëlloi me armë Dedë Koliçin. Ai i është kundërpërgjigjur me një armë pistoletë. Por situata precipitoi akoma kur Prendi humbi kontrollin e armës dhe plagosi jo vetëm 40-vjeçarin Koliçi, por edhe gruan, djalin e tij dhe një kalimtare të rastit. Policia e Kurbinit, e alarmuar nga të shtënat e armëve, mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes. Ajo gjeti katër personat e plagosur rëndë në mes të gjakut. Viktimave iu dha ndihma e menjëhershme, duke i çuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Burime spitalore bënë të ditur se katër të plagosurit janë në gjendje të rëndë, pasi kanë pësuar disa plagë në trup. Vetëm pak minuta pas ngjarjes, policia arrestoi edhe Paulin Prendin. Ndërsa në vendin e ngjarjes u gjetën të hedhura armët automatike dhe pistoleta. Mësohet se Prendi ka pranuar krimin e kryer. Ai ka pohuar në polici se gruan, djalin dhe kalimtaren i kishte plagosur pa dashje. Sipas tij, konflikti kishte nisur pas sherrit të vazhdueshëm të dy bashkëshorteve të tyre për vendin në tregun industrial të këtij qyteti. Policia e prangosi Prendin me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë. Pritet edhe përmirësimi i Dedë Koliçit dhe ai më pas do të arrestohet me të njëjtën akuzë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›