E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga për trafik droge ndërtuesit

ARRESTIMI/ Biznesmeni vlonjat Arben Veliko dhe katër bashkëpunëtorët e tij janë arrestuar mbrëmjen e së shtunës


Prokuroria bëri të ditur se ishte arritur të bëhej sekuestrimi i 11,8 kg heroinë. Rrjeti përbëhej nga 7 vetë

TIRANË- Arrestohet ndërtuesi vlonjat Arben Veliko dhe katër bashkëpunëtorët e tij në Shqipëri, si dhe dy "korrierët" në Itali, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por në role të ndryshme, kanë trafikuar nga Shqipëria në drejtim të Milanos në Itali 11,8 kg heroinë. Lajmi konfirmohet nga prokurorët e çështjes Besnik Muçi dhe Edvin Kondili gjatë një konference për shtyp të mbajtur në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.


Sipas prokurorëve, në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës është finalizuar me sukses operacioni i arrestimit të pesë të dyshuarve në Shqipëri, i koduar me emrin "Ndërtuesi". "Janë arrestuar shtetasit Arben Veliko, Dritan Alias Orges Jahelezi, Panajot Dhiamandi, Sokol Kashta dhe Latimir Hoxha, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të "trafikut të lëndëve narkotike" në bashkëpunim.

Gjatë hetimeve gati dyvjeçare është arritur të provohet se biznesmeni Veliko është organizatori i kësaj linje të trafikut të drogës nga Vlora në Itali", thuhet nga prokuroria. Sipas tyre, ka qenë ndërtuesi Veliko i cili me ndihmën e ndërmjetësuesit të arrestuar tashmë, tropojanit Dritan alias Orges Jahelezi, kishte rënë dakord për shitjen dhe transportimin e 11,8 kg heroinë nga Shqipëria në drejtim të Milanos në Itali ku blerësi ishte një shtetas italian.


"Veliko ka organizuar sigurimin e drogës, më pas transportimin e saj në drejtim të Italisë, ku sapo i është dorëzuar blerësit në Milano të Italisë, ky i fundit ka refuzuar ta blinte për shkak të cilësisë së dobët.


Pas këtij refuzimi, "pronari" Veliko ka pasur një debat të ashpër me ndërmjetësin tropojan, ku në përfundim të debatit mes tyre, biznesmeni ka vendosur ta tërheqë mallin e dërguar në Itali. Për këtë fakt ka punësuar shtetasit Julian Kajdo dhe Eduart Toshkollari të cilët ishin ngarkuar me detyrën e marrjes së 11,8 kg heroinë nga shtetasi italian dhe kthimi i saj në Shqipëri.


Në këto momente, Prokuroria e Krimeve të Rënda e cila po i përgjonte të dyshuarit lajmëron zyrën ndërlidhëse të policisë italiane që ndodhet në Shqipëri për arrestimin e dy korrierëve me drogën në makinë. Arrestimi i tyre kryhet mesditën e datës 17 dhjetor 2008 dhe që nga ajo ditë institucioni i akuzës në Shqipëri ka vazhduar hetimet për të dyshuarit.


Ndërkohë, të arrestuarit Panajot Dhiamandi, Sokol Kashta dhe Latimir Hoxha dyshohen si bashkëpunëtorë të ndërtuesit Veliko në këtë linjë trafiku të drogës. "Arrestimi i Velikos është kryer brenda zyrës së tij të punës, pasi ka një aktivitet ndërtimi në qytetin e Vlorës dhe ka refuzuar të japë shpjegime pa praninë e avokatit mbrojtës.


Ndërkohë, i dyshuari Latimir Hoxha është arrestuar në një banesë në qytetin bregdetar të Sarandës ku ndodhej me pushime, të dyshuarit Panajot Dhiamandi e Sokol Kashta janë arrestuar në banesat e tyre në Vlorë, ndërsa tropojani Dritan alias Orges Jahelezi, në Tiranë.


Përveç këtyre arrestimeve, prokuroria konfirmoi se ka shpallur në kërkim dhe ka marrë nën hetim edhe disa persona të tjerë të dyshuar si pjesë e këtij rrjeti të trafikut të drogës nga Turqia-Bullgari-Maqedoni-Shqipëri dhe më pas në drejtim të Italisë.

Të arrestuar në Shqipëri


Arben Veliko, 43 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë (organizatori)
Dritan alias Orges Jahelezi, 33 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë (ndërmjetësi)
Latimir Hoxha, 37 vjeç, lindur dhe banues në Mbrostar Fier (bashkëpunëtor)
Panajot Dhiamandi, 35 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë (bashkëpunëtor)
Sokol Kashta, 40 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë (bashkëpunëtor)


Të arrestuar në Itali
Julian Kajdo
Eduart Toshkollari

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›