Marrin hakun pas 33 vjetësh, përfitojnë amnisti
SHKODËR – Prokuroria kërkon 47 vjet burg për gjakmarrje, por çështja ndaj tyre pushohet. Bardhok e Dedë Ndoci, të akuzuar për vrasje për gjakmarrjeje nga prokuroria u lanë të lirë, pasi gjykata vendosi ta ndryshojë akuzën nga «vrasje» në «plagosje të rëndë me dashje», vepër e cila pushohet pasi përfshihet në amnistinë e vitit 1997, amnisti e dhënë nga parlamenti shqiptar. Bardhok, Dedë e Petrit Ndoci (ky i fundit në mungesë) u akuzuan nga prokuroria për vrasjen e shtetasit Preng Ndue Gega, ngjarje e ndodhur në Mnelë të Shkodrës, më 26 shtator 1995. Bardhok Ndoci, 56 vjeç, i ndaluar nga policia më 1 prill 2007, u dënua me dy vjet burg për armëmbajtje pa leje, pasi në momentin e ndalimit atij iu gjet një armë. Dënimi i tij përkoi me periudhën e paraburgimit dhe si rrjedhojë edhe ai u lirua në sallën e gjyqit. Akuza, e përfaqësuar nga prokurori Vat Stakaj, kishte kërkuar deklarimin fajtor të tre të dyshuarve për vrasjen në vitin 1995 të shtetasit Preng Ndue Gega. Sipas tij, tre shtetasit kishin goditur me mjete të forta derisa i kishin shkaktuar vdekjen Prend Ndue Gegës, 52 vjeç, pasi ky i fundit, në vitin 1962, kur ishte 19 vjeç, kishte rrahur për vdekje Zef Ndocin, përkatësisht baba dhe gjysh i të pandehurve. Kjo ngjarje kishte mbetur e pazbuluar nga policia dhe dosja hetimore që lidhej me të ishte zhdukur në vitin 1997. Si rrjedhojë autorët e dyshuar ishin të lirë, që i kishte bërë të përfitonin për t’u larguar në Tiranë, Lezhë dhe jashtë shtetit. Por më pas, me provat e dala, organi i akuzës kishte mundur të ngrinte çështjen duke e çuar atë në gjyq. Megjithatë, togat e zeza nuk kanë qenë në një mendje, duke e ndërruar cilësimin e veprës nga «vrasje për gjakmarrje»në «plagosje të rëndë», fakt i cili bëri që dy të pandehurit e kapur gjatë hetimit, të liroheshin nga burgu, pasi ngjarja ka ndodhur para vitit 1997 dhe është amnistuar nga parlamenti.