Reaksioni, të sëmurët me zemër refuzojnë ilaçet
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Reaksioni masiv në repartin e Kardiologjisë së spitalit të Korçës, i dyshuar se u shkaktua nga ilaçet e skaduara, detyroi familjarët e të sëmurëve t’i drejtohen Greqisë. Pacientët janë në ankth për situatën e krijuar. Të afërmit e tyre, duke filluar që dje, nuk pranuan që ata të trajtoheshin më me ilaçet e spitalit. Shumica e tyre, pasi morën në dorë recetën nga mjekët për medikamentet që nevojiten, iu drejtuan farmacive greke. Ata shprehen se barnat me të cilat spitali i Korçës është furnizuar, nuk kanë asnjë garanci në lidhje me skadencën e tyre, ndaj janë të detyruar t’i drejtohen shtetit fqinj. Ndonëse gjendja shëndetësore e të sëmurëve është përmirësuar, ata shprehen të pakënaqur me këtë gjendje. Sigurimet e paguara shëndetësore po shkojnë dëm, pasi sipas tyre ata janë detyruar të shpenzojnë nga xhepi, për të gjitha ilaçet që u nevojiten. Situata e krijuar në repartin e Kardiologjisë mësohet, se vuri dje në alarm edhe Ministrinë e Shëndetësisë. Burimeve pranë drejtorisë së qendrës spitalore në Korçë, bënë të ditur se me urdhër të këtij dikasteri, mostrat e ilaçeve të përdorura në Kardiologji, u çuan në laboratorin e Tiranës. Atje pritet që t’iu kryhen analiza të hollësishme, në bazë të së cilave do të mund të përcaktohet shkaku i reaksionit ndaj 8 të shtruarve me sëmundje zemre. Të njëjtat burime bënë të ditur, se mostrat janë marrë nga të gjitha ilaçet që janë në përdorim në këtë pavijon, serumet si dhe uji fiziologjik. Mësohet se medikamentet janë marrë në farmacinë e spitalit. Personeli i farmacisë së qendrës spitalore nuk pranoi të japë hollësi rreth këtij skandali, ndërkohë që rezultatin përfundimtar pritet ta japin vetëm analizat nga laboratorët e Tiranës.
Urma Bonja ka shtruar prej disa kohësh nënën e saj në kardiologji. “E solla nënën për ta shëruar e jo për t’i rrezikuar jetën. Të kesh frikë të shkelësh në dyert e spitalit, se nuk dihet se çfarë mjekimesh të bëjnë, vetëm këtu ndodh”, u shpreh ajo tepër e irrituar. Ndërsa djali i një tjetër pacienti të kardiologjisë pohoi, se kishte shkuar në Greqi të merrte ilaçet e të atit. “I kërkova mjekut që të më jepte recetën me gjithçka, që i nevojitet babait për t’u kuruar dhe i bleva ato në Greqi. Edhe serumet e shiringat ia kam blerë vetë. Nuk mund t’ia lejoj vetes, që babai të më vdesë nga medikamentet e skaduara, u shpreh ai, duke qenë i bindur se reaksioni masiv kishte ardhur pikërisht për këtë shkak. Familjarë të tjerë të së shtruarve pohuan, se edhe ata kishin vepruar në të njëjtën mënyrë. Disa prej tyre i ishin drejtuar Greqisë e ata që nuk kishin pasur mundësi të shkojnë atje, i kishin blerë ilaçet në farmacitë private. Mjekët e kardiologë hodhën nën zë të njëjtat dyshime me familjarët dhe pacientët për medikamentet e skaduara. Por drejtuesit e spitalit nuk e pranuan një fakt të tillë, duke aluduar tek ndonjë gabim njerëzor i stafit spitalor.
Drejtori fajëson infermieret
Drejtori i Qendrës Spitalore, Ilia Jatagani rreth situatës së krijuar në pavijonin e Kardiologjisë, ndau të njëjtin mendim me zëvendësin e tij, duke fajësuar personelin e infermiereve. Për mungesën e ilaçeve u shpreh, se kanë filluar të vijnë duar-duar. “Tani kemi serume, ujë fiziologjik, shiringa, pambuk, alkool dhe presim të na vijnë barnat”, u shpreh ai.