Mali i Zi, shqiptarët fitojnë katër deputetë
Pesë subjektet politike shqiptare, të cilat garuan në zonën e veçantë zgjedhore, ku shqiptarët përbëjnë shumicën e popullsisë, fituan 4 vende në Parlamentin e ri të Malit të Zi. Rezultatet zyrtare të votimeve dalin sot, por Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, deklaroi fitoren e tij në zgjedhjet parlamentare. Televizioni publik malazez njoftoi se nga rreth 17% të votave të numëruara, koalicioni i Gjukanoviçit "Mali i Zi evropian" ka marrë 54% të tyre. Rezultatet e cituara nga Qendra për Tranzicion Demokratik tregojnë se Partia Popullore Socialiste ka 18.9% të votave të numëruara deri tani, Demokracia e Re Serbe 8.2% dhe Lëvizja për Ndryshim rreth 4.3%. Gjukanoviç kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve një vit e gjysmë para kohe, duke thënë se do të fitojë mandatin për bisedimet e anëtarësimit të vendit në BE. Por, opozita e ka akuzuar partinë e tij se kërkoi zgjedhje të parakohshme para se kriza ekonomike botërore të godasë vendin.