E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha inauguron një fabrikë çimentoje në Balldren

Kryeministri Berisha mori pjesë dje në inaugurimin e fillimit të punimeve për fabrikën e re të çimentos, në Balldren të Lezhës. Në këtë ceremoni morën pjesë ambasadori i Italisë në Tiranë, Saba D‘Elia, deputetë të Lezhës, përfaqësues të pushtetit vendor etj. Ambasadori italian, z. D‘Elia, vlerësoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë janë shumë të veçanta në të gjitha fushat. Veçanërisht, ai theksoi mbështetjen që Italia i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik, e cila do të afirmohet më 4 prill me anëtarësimin e vendit në NATO. Duke u ndalur në nivelin e shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë, ambasadori italian tha se Italia zë 34 për qind të këtyre shkëmbimeve. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha tha se ky investim është dëshmi e një marrëdhënieje intensive me Italinë mike, dëshmi e një besimi të madh të sipërmarrësve italianë dhe atyre botëror ndaj Shqipërisë, së pari, për përpjekjet e jashtëzakonshme që qeveria ka bërë për krijimin e klimës sa më të favorshme për biznesin. Dua të theksoj, tha Berisha, se ky është një rezultat i politikave të drejta ekonomike që ka ndjekur kjo qeveri, gjë e cila ka bërë që në qiellin tonë të ketë re me shi ose me borë, por të mos ketë re të stuhisë ekonomike evropiane dhe botërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›