E Shtunë, 31 Tetor 2026

Padia e Ndokës, numëruesit e PS-së: Të hapen kutitë

Pas padisë së Ndokës, reagojnë tre nga anëtarët e grupeve të numërimit të Shkodrës, ndaj të cilëve është ngritur padi penale


SHKODËR - "Kryetari demokristian, Nard Ndoka, është i lirë të deklarojë gjithçka, por zgjidhjen situatës së tij ia jep hapja e kutive". Tre nga anëtarët e grupeve të numërimit të votave, ndaj të cilëve, kreu demokristian ka depozituar padi penale, kanë reaguar duke e konsideruar absurde nismën e tij.


Jetmira Kozmaj, Shpëtim Turkaj dhe Zamir Kozmaj, pjesëtarë të grupeve të numërimit të votave, përfaqësues të PS-së, kanë reaguar ashpër ndaj padisë së depozituar në Prokurori nga Ndoka.


Sipas tyre, kjo është një fyerje, që i bëhet punës që kanë bërë për tri ditë e net me radhë në vendnumërimin e votave, por njëkohësisht një veprim i çuditshëm i një individi, i cili kërkon të justifikojë humbjen përpara elektoratit të tij. Ata madje, i kërkojnë publikisht tërheqjen e kësaj padie. Ndërkohë që kanë formuluar një tjetër padi ndaj Ndokës për shpifje dhe fyerje personi.


"Ne do t'i shkojmë deri në fund kësaj çështjeje", - janë shprehur ata. Sipas tyre, nëse kryetari i PDK-së, kërkon të gjejë të vërtetën e votave të demokristianëve, të çelë një proces gjyqësor me kërkesë hapjen e kutive dhe vetëm kjo i jep zgjidhje kësaj situate.


Padia e Ndokës, në fakt kufizohet vetëm në atë që ai e konsideron shpërdorim të detyrës dhe falsifikim të rezultatit të zgjedhjeve nga shtatë numërues të fletëve të votimit gjatë zgjedhjeve të 28 Qershorit të këtij viti.


Ndërkohë që në kërkimet përfundimtare nuk ka asnjë kërkesë për hapjen e kutive të votimit, kërkesë kjo që është kthyer në refren të një numri të konsiderueshëm forcash politike.


Kjo madje u kërkua edhe në protestën e ditës së premte ne Shkodër. Tre pjesëtarët e grupeve të numërimit, përfaqësues të PS-së, kanë sqaruar gjithashtu edhe një fakt, sipas tyre abuziv, të përmendur në padinë e Ndokës.


Bëhet fjalë për dy qendra votimi, pikërisht ajo me numër 0083 dhe 0101 që nuk i përkasin qytetit të Shkodrës, ku ata janë angazhuar si numërues, menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit.


"Është e pakuptueshme sesi një individ, aq më shumë një ish-deputet dhe kreu i një force politike të respektuar, sajon të tilla histori që mund të kenë të vërtetë vetëm firmën që Ndoka ka vënë në fund të asaj padie", - shprehen ata. Për t'i dhënë fund kësaj situate, e vetmja zgjidhje, sipas tyre, është hapja e menjëhershme e kutive, veprim që çon në vend verdiktin e votuesve.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›