Kongresi i PD-së, nis analiza e zgjedhjeve në qarqe
Në PD ngrihen grupet e punës për 12 qarqet. Analiza do të shoqërohet me korrigjime në drejtimin e strukturave lokale
TIRANË - Pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, e cila vendosi thirrjen e Kuvendit Kombëtar më 12 dhjetor të këtij viti, për të zgjedhur forumet drejtuese të kësaj partie, në PD ka filluar edhe analiza në rang qarku e grupeve të punës.
Sipas sekretarit organizativ të kësaj force politike, Flamur Noka, grupet e punës janë bashkërenduar në nivel qarku, ku për secilin qark ka nga një kryesues, që do të kryejnë gjithë analizën zgjedhore dhe post-zgjedhore.
Kështu, në qarkun e Tiranës grupi i punës kryesohet nga deputeti Aldo Bumçi, në qarkun e Durrësit është Ferdinand Xhaferri, në qarkun e Lezhës grupi i punës drejtohet nga Edi Paloka, në Kukës Flamur Noka, në Gjirokastër Genc Ruli, në Fier Sokol Olldashi, në Vlorë grupin e punës e udhëheq Astrit Patozi, në Berat drejtohet nga Genc Pollo, në Dibër nga Jemin Gjana, në Korçë nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, në Elbasan nga Lulëzim Basha, Shkodër nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe në Kukës nga sekretari organizativ i kësaj partie, Flamur Noka.
Drejtuesit bashkë me grupet e punës do të zbresin në bazë, ku do të zhvillojnë në mënyrë të hollësishme analizën e gjithë procesit zgjedhor të 28 Qershorit, një analizë e cila paraprakisht ka përfunduar nëpër seksione, për të kaluar tashmë në një nivel më të lartë. Më pas do të jetë Kuvendi Kombëtar, akti final i procesit të analizave për zgjedhjet e përgjithshme të 28 Qershorit.
Paralelisht, këto analiza do të shoqërohen me të gjitha korrigjimet e nevojshme në drejtimin e strukturave lokale, për të mënjanuar defektet e vërejtura në zgjedhjet e 28 Qershorit. Pjesë e gjithë këtij procesi pune, do të jetë edhe Komisioni për ndryshimin e statutit që drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm, Ridvan Bode.
Ky komision do të ketë si qëllim riorganizimin e statutit të Partisë Demokratike, duke i sjellë një paketë të re rregullash. Komisioni do të krijojë mundësinë e ndryshimit të disa pikave në statut. Statuti aktual i selisë blu në nenin 39 pikat 2 dhe 4 parashikon që; "Kuvendi Kombëtar miraton Statutin e PDSH-së dhe ndryshimin e tij, si dhe zgjedh me votim të fshehtë Kryetarin e Partisë".
Komisioni për ndryshimin e statusit do të paraqesë në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, pikat e ndryshuara të statutit, të cilat do të miratohen nga Kuvendi i PD-së më 12 dhjetor, ku do të zgjidhen forumet më të larta drejtuese si dhe kryetari i kësaj partie ose rinkonfirmimi i atij aktual.
Dy ditë më parë, kryesia e Partisë Demokratike vendosi edhe ngritjen e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë që do të jetë nën drejtimin e nënkryetarit të PD-së, Astrit Patozi.