Pranga shoferit bullgar, trafikoi dy afganë
Vinin nga Greqia dhe prisnin të niseshin drejt Italisë
TIRANE- Një shofer bullgar është arrestuar nga Policia e kryeqytetit me akuzën e favorizimit për kalim të paligjshëm të kufirit dhe kontrabandim të njerëzve, duke kaluar dy afganë nga Greqia në drejtim të Shqipërisë me destinacion të mundshëm Greqinë.
Borislav Gonçarov, 31 vjeç, nga qyteti i Jahinovos së Bullgarisë, është arrestuar nga policia e kryeqytetit në Doganën e Tiranës gjatë të mërkurës. Arrestimi i Gonçarov, u bë i ditur dje nga policia e kryeqytetit nëpërmjet një njoftimi zyrtar të saj.
Afganët sipas burimeve zyrtare të policisë, ishin gjetur të fshehur në një pjesë kamioni i cili ishte parkuar në një ambient parkimi privat në afërsi të Doganës së Tiranës.
Ata dyshohet se janë transportuar me mjetin që drejtohej nga bullgari 31- vjeçar, nga Greqia në drejtim të Shqipërisë, nga pika e kalimit Kufitar të Kapshticës. Burimet e policisë kanë pohuar se dy afganët e ndaluar në ambinetet e një parkingu privat pranë doganës së Tiranës, dyshohet se duhej të niseshin në drejtim të Italisë.
Ndërsa ende nuk dihet se cila do të ishte mënyra e tyre e udhëtimit, drejt Italisë, por blutë pohojnë se dyshimet e tyre janë se ata do të niseshin drejt Italisë me kamion ashtu siç kishin ardhur nga Greqia.
Pas kapjes së dy afganëve ata janë përcjellë në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Tiranë, me qëllim prapësimin e tyre në drejtim të Greqisë nga edhe kishin ardhur. Policia ka arrestuar shoferin bullgar Gonçarov me akuzën e dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, ndërsa automjeti i drejtuar prej tij është bllokuar nga blutë në cilësinë e provës materiale.