Korrupsioni, shkrihet Komisioni i Strehimit në Elbasan
VENDIMI/ Gjykata ka vendosur masën e sigurisë "arrest në burg" për Kujtim Hazbiun i ndaluar të mërkurën
Pritet që tashmë përcaktimi të bëhet nga specialistët e strehimit e më pas lista t'i kalojë këshillit bashkiak
ELBASAN - Pas arrestimit të kreut të Komisionit të Strehimit në Elbasan, Kujtim Hazbiu (njëkohësisht nënkryetar i Këshillit Bashkiak dhe kryeinspektor i Policisë Ndërtimore të qarkut), burime nga këshilli bashkiak i këtij qyteti kanë bërë të ditur se tashmë një komision i tillë nuk do të ekzistojë më.
Denoncimet e shumta për korrupsion si dhe problemet e herëpashershmë që e kanë përfshirë atë kanë qenë shkaqet që nga këshilli bashkiak të vendosej mospasja e një komisioni strehimi. Ndërkohë nga ana e gjykatës së Elbasanit është vendosur masa e sigurisë "arrest me burg" për Kujtim Hazbiun, i akuzuar për "korrupsion pasiv", si dhe "shpërdorim detyre"
Vendimi
Këshilli Bashkiak vendos të hënën për pozicionin e nënkryetarit tashmë që Hazbiu duhet të përgjigjet për akuzat e ngritura ndaj tij. Sipas burimeve, sa për pozicionin e kreut të komisionit, Hazbiu nuk ishte më i tillë pasi ky komision ishte bërë nul në momentin që u ndanë 45 apartamentet e një viti më parë. Zërat për korrupsion dhe problemet që përfshinë këtë komision bënë që Këshilli Bashkiak të vendosë për të mos pasur më një komision të veçantë strehimi.
Sipas tyre, përcaktimi do të bëhet nga specialistët e strehimit dhe më pas lista me personat që plotësojnë kriteret, do të kalojë në Këshillin Bashkiak. Bëhet fjalë për rreth 200 apartamente që do të blihen në treg nëpërmjet kredisë së butë. Marrëdhënia me bankat pretendohet që ta bëjnë më të lehtë procesin dhe të evitojë mundësitë korruptive.
Gjykata
"Arrest me burg" ka qenë masa e dhënë nga Gjykata e Elbasanit për Kujtim Hazbiun, i akuzuar për "korrupsion pasiv" dhe "shpërdorim detyre". Vendimi është marrë pasi nga ana e përfaqësuesit të organit të akuzës i janë paraqitur togave të zeza prova, kryesisht dëshmi, që vërtetonin akuzat ndaj Hazbiut.
Prokurori ka paraqitur një dosje të plotë, duke u shprehur se gjatë kohës që Hazbiu ishte kreu i Komisionit të Strehimit ka shpërdorur detyrën. Hetimet kanë nisur një vit më parë pas disa denoncimeve nga persona që pretendojnë se kanë paguar para, por nuk kanë përfituar strehë.
Ndërkohë, prokuroria ka sekuestruar të gjithë dokumentacionin që disponon Këshilli Bashkiak për çështjen e strehimit. Në pranga në muajin gusht përfundoi edhe një person i akuzuar për marrje ryshfeti duke premtuar favorizim në ndarjen e apartamenteve. Shpëtim Myftari është ende në qeli për shkak se akuzohet se ka marrë shuma të konsiderueshme parash nga qytetarë të ndryshëm duke iu premtuar strehimin.