Rrjeti kullues, apel për ndihmë nga komuna Gur i Zi
SHKODËR - Mungesa e rrjetit kullues në fshatrat Kuç e Vukatanë të komunës Gur i Zi në Shkodër bën që toka bujqësore të përmbytet sa herë ka reshje. Banorët e këtyre fshatrave shprehen se komuna dhe ndërmarrja përkatëse e kullimit nuk kanë ndërhyrë asnjëherë për pastrimin dhe vënien në eficencë të kanaleve kulluese.
Kjo sjell që prodhimet bujqësore të fermerëve nga vjeshta e deri në dimër të jenë shumë të pakta saqë nuk plotësojnë as nevojat familjare, ndërsa për t'i shitur nuk bëhet fjalë.
Janë mbi 15 ha tokë arë e punueshme që qëndrojnë nën ujë nga tetori deri në prill, në varësi të reshjeve të shiut, që në zonën e Shkodrës janë më të shumta se kudo në vend.
Fermerët bëjnë apel që të ndërhyhet për rrjetin kullues që të kenë mundësi të marrin prodhim nga toka. Përveç tokës bujqësore, reshjet e shiut i bëjnë gati të pakalueshme dhe rrugët e këtyre fshatrave, që mbushen nga uji. "Sa herë bie shi, toka bëhet si kënetë dhe asnjë prodhim nuk mund të merret.
Edhe rruga është e pakalueshme. Askush nuk ua vë veshin ankesave tona", shprehen banorë të Vukatanës. Në komunën Gur i Zi lidhur me këtë problem mësohet se janë dërguar shkresa zyrtare në ndërmarrjen e kullimit ku kërkohet ndërhyrje për pastrimin e kanaleve kulluese, por kjo nuk është bërë e mundur për mungesë fondesh.
Transporti mbi liqenet në kaskadën e Drinit, i rrezikshëm
SHKODËR - Transporti ujor i njerëzve në liqenet e hidrocentraleve të kaskadës së lumit Drin, si dhe të ligatinave në qarkun e Shkodrës është i pasigurt dhe rrezikon të sjellë pasoja fatale.
Kjo është pohuar në një takim me drejtues institucionesh të zhvilluar nga prefekti Maxhid Cungu, i cili u ka kërkuar strukturave përkatëse, drejtuesve të kufirit dhe transportit ujor marrjen e masave të menjëhershme për të evituar ndonjë rrezik të mundshëm.
Sipas specialistëve të prefekturës së qarkut Shkodër, veçanërisht në liqenet e tre hidrocentraleve mbi lumin Drin, atij të Vaut të Dejës, Komanit e Fierzës qarkullojnë mjete lundruese që transportojnë pasagjerë dhe që kanë 16 vjet që janë të pakolauduara dhe që në çdo moment mund të sjellin tragjedi.
Në lumin Drin janë katër mjete të rënda lundruese, tragete, 3 anije dhe 15 varka të cilat mbartin njerëz, makina, e sende të ndryshme, por që askush nuk i kontrollon për sigurinë teknike të tyre.
Prefekti i Shkodrës theksoi se nga kontrollet e realizuara prej strukturave përkatëse në drejtim të aktivitetit të mjeteve të transportit ujor ka rezultuar se ato ushtrojnë aktivitet jashtë rregullave, nuk ka bashkëpunim mes institucioneve që japin leje për këtë aktivitet, por dhe strukturave, si: pushteti vendor, policia dhe tatim-taksat për kontrollin e aktivitetit të këtyre mjeteve lundruese.
Më pas Cungu shtoi se ka dhe një mungesë logjistike për to. Më problematik paraqitet lundrimi në ujërat e liqeneve të hidrocentraleve të kaskadës së Drinit, i cili është i pasigurt dhe përbën një rrezik të pranishëm për të gjithë ata që përdorin këto mjete dhe që nuk janë të paktë.
Prefekti ka kërkuar që institucionet që e kanë për detyrë, të kontrollojnë këtë aktivitet, të bëjnë denoncime në prokurori dhe më pas ta ndjekin çështjen edhe në gjykatë, pasi duhet nisur procedim penal dhe për cenim të jetës së njerëzve, dhe jo vetëm kur ndodh një incident.
Lidhur me sigurinë e mjeteve të transportit ujor, është theksuar se këto mjete janë në varësi dhe marrin keje për ushtrim aktiviteti nga pushteti vendor dhe nga kapiteneria e portit në Durrës.