Plagosja e dy të rinjve, identifikohen autorët
VLORË/ Real Osmani dhe G.Birçe janë shpallur në kërkim për ngjarjen e ndodhur të mërkurën mbrëma
VLORË - Pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, ku u plagosën dy të rinj, një prej të cilëve ende në rrezik për jetën, policia ka identifikuar autorët, ndërkohë që po punohet për kapjen e tyre.
Autori i dyshuar për këtë ngjarje është Real Osmani, 25 vjeç, nga qyteti i Vlorës, ndërsa si bashkëpunëtor akuzohet G.Birçe, 22 vjeç. Policia gjithashtu ka në dorë tashmë si provë materiale armën me të cilën u krye plagosja, e cila është pistoletë e llojit TT, si dhe një krehër pa fishekë.
Akuzat që rëndojnë mbi Osmanin janë "vrasje me paramendim e ngelur ne tentativë", si dhe "armëmbajtje pa leje". Dy persona mbetën të plagosur në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës në qytetin e Vlorës, ndërkohë që ende policia nuk ka dhënë versionin zyrtar për motivin e ngjarjes, ku të dhënat e para kanë qenë motivet e dobëta.
Altin Naka, 32 vjeç, dhe Robert Duka, 27 vjeç, janë dërguar fill pas kësaj drejt spitalit rajonal të Vlorës. 32-vjeçari është qëlluar me tre plumba, dy prej të cilave në kraharor dhe tjetri në këmbë dhe është në gjendje të rëndë. 27-vjeçari është goditur me mjete të forta. Ngjarja ndodhi në lagjen "Lef Sallata", pranë një pike interneti, zonë e cila është fare pranë rrugës kryesore.
Policia mbërriti në vendngjarje shumë shpejt dhe paralelisht me procedurat e shqyrtimit të provave nisi edhe puna për identifikimin e personit. Versioni i ngjarjes është dhënë paraprakisht për policinë prej dy të rinjve, të cilët ndodheshin pranë pikës së internetit.
Dëshmitarët kanë pohuar se katër të rinj janë përleshur fillimisht brenda internetit për të vijuar jashtë tij dhe një prej tyre ka nxjerrë pistoletën duke qëlluar më parë në ajër e më pas administratorin e pikës së internetit. Me shkelma dhe me qytën e pistoletës ai ka qëlluar dhe mbi 27-vjeçarin Duka, ndihmuar edhe nga shoku i tij, për t'u larguar më pas drejt blloqeve të pallateve që ndodhen pas pikës së internetit.