E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga shoferit të konsullatës

 

VLORE / QEMAL BIRAKU

Arrestohet "miku në konsullatë" i tre falsifikatorëve të arrestuar dy ditë më parë në Vlorë. Burime zyrtare të policisë së Vlorës bënë të ditur dje arrestimin e Rikard Lushnjarit, 32 vjeç punonjës në konsullatën italiane në këtë qytet, me detyrë shofer.
Mësohet se emri 32-vjeçari, ka dalë nga marrja në pyetje e tre personave të arrestuar në kuadër të operacionit "Konsulli i rremë", me akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Në deklaratat e dhëna përpara oficerëve të Policisë Gjyqësore, tre të arrestuarit nga kanë pohuar se, bashkëpunëtori i tyre brenda në konsullatë ishte Lushnjari. Nga operacioni i ndërmarrë nga policia e qytetit bregdetar janë vënë në pranga Ali Bani, 37 vjeç, Sadik Shytaj, 55 vjeç, i dënuar më parë për veprën penalë të falsifikimit të dokumenteve të ndryshme dhe Alfred Guçe, 35 vjeç, të tre banues në Vlorë. Kësaj liste i është shtuar dje edhe emri i 32-vjeçarit Lushnjari, i cili mundësonte realizimin e procedurave të përshpejtuara të dokumenteve brenda konsullatës. Sipas policisë, katër të arrestuarit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, duke u marrë me anë të mashtrimit shuma të ndryshme parash, nga 2000 deri në 3000 euro dhjetëra personave për nxjerrje vizash, përshpejtim dhe lehtësim procedurash në konsullatën italiane në Vlorë, duke falsifikuar dokumente të ndryshme. Këto fakte kanë bërë që policia të dyshojë se veç lehtësirave të procedurave nga konsullata, qytetarë të ndryshëm mund të kenë shfrytëzuar dhe futjen brenda institucionit të dokumenteve false. Hetimet pritet të thellohen, pasi të tjerë persona brenda konsullatës dyshohet të kenë bashkëpunuar për të realizuar "kërkesat" e grupit të goditur nga policia e Vlorës.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e tyre janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale vula institucionesh të ndryshme, 12 dëshmi aftësie drejtim automjeti, dhjetëra certifikata, dokumente institucionesh e shuma të hollash. Mendohet se veprimtaria e grupit vazhdonte prej 1 viti, por një sinjal nga brenda konsullatës ka vënë në lëvizje policinë e Vlorës.

Konsulli kërkon të dhëna për hetimin
Menjëherë pas goditjes së këtij grupi falsifikatorësh, mes tyre dhe një i punësuar në konsullatë, është interesuar direkt në polici konsulli italian në Vlorë, Lorenco Tomasoni. Ai i ka kërkuar zyrtarisht policisë së qytetit informacion të detajuar mbi veprimtarinë e grupit dhe dokumentet që janë lëshuar në këmbim të favoreve në para. Gjithashtu ka kërkuar zbardhjen e bashkëpunëtorëve të mundshëm brenda në konsullatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›