Zogaj: Ndryshime në qeveri, por jo me presione
Pas sondazhit të USAID-it lidhur me nivelin e lartë të korrupsionit në Shqipëri, shtohen zërat në Partinë Demokratike për ndryshime në qeveri.
ADI SHKEMBI
Deputetët e forcës më të madhe të koalicionit të djathtë, Preç Zogaj dhe Edi Paloka, shprehen se rishikimi i kabinetit qeveritar duhet bërë për t'i dhënë një impuls më të madh qeverisjes. Lidhur me perceptimin e qytetarëve për nivelin e korrupsionit, deputeti Zogaj thotë se korrupsion ka, por ai tashmë është në nivele më të ulëta se tre vjet më parë. "Unë mund të them se rubinetet e korrupsionit të madh pothuajse janë mbyllur në Shqipëri, këtu kam parasysh doganat. Nga ana tjetër, ka probleme për mikrokorrupsion, që janë jo vetëm ryshfetet, por edhe abuzime në nivele të ndryshme", thotë Zogaj. I pyetur për ndryshimet në qeveri, kryetari i Komisionit të Jashtëm thotë se këto ndryshime duhen bërë pas një analize të thellë të qeverisjes gjatë kësaj periudhe. Por ai shton se qeveria nuk duhet mbajtur me presionin e rishikimit të kabinetit. "Ndryshimet në qeveri duhen bërë jo vetëm për shkak të këtyre sondazheve, por duhen bërë për t'i dhënë impulse të reja qeverisjes, më shumë kreativitet, më shumë përkushtim. Duhet dalë nga një lloj rutine që krijohet natyrshëm herë pas herë dhe kjo duhet bërë në bazën e një analize. Unë nuk them që duhen bërë ndryshime për ndryshime, unë nuk jam për të mbajtur qeverinë në presionin e kërkesave për ndryshime. Detyra jonë është t'i themi dhe besoj se këto ide nuk kanë rënë në vesh të shurdhër. Ideja e një qeverie më përfaqësuese është një ide aktuale", thekson më tej Zogaj. Në të njëjtën linjë është edhe deputeti i kryeqytetit, Edi Paloka, i cili thekon se ndryshimet në qeveri nuk duhet të nënkuptojnë vetëm lëvizje emrash, por edhe strukturën. Sipas tij, "jemi në një stad të ri të qeverisjes, sapo kemi marrë ftesën për në NATO, jemi një vit para zgjedhjeve dhe mendoj që në përshtatje me reformat që duhet të ndërmarrim, duhet të ketë edhe rikonstruksion të qeverisë, madje edhe në strukturë mund të ketë ndryshime qeveria, jo thjesht në emra". Por kritikat më të mëdha të Palokës duket se shkojnë për ministritë e drejtuara nga aleatët. Duke lënë të kuptohet se këto ministri janë kthyer në çifligje, deputeti i PD-së thotë se dhënia e këtyre posteve nuk duhet të shërbejë për mbajtjen në këmbë të partive aleate të PD-së. "Ka një të vërtetë që, pavarësisht se është një qeveri dhe duhet të zbatojë një politikë të caktuar shpesh ministritë që drejtohen nga aleatët, kanë njëlloj pavarësie të papranueshme. Unë nuk jam nga ata që them se duhet të fshihen aleatët nga qeveria, por ata duhet të jenë më të përgjegjshëm, sepse ministritë që kanë nuk janë për ngritur partitë e tyre, për të punësuar anëtarët e partive të tyre, por janë për të zbatuar një politikë qeverisëse që e ka gjithë koalicioni i djathtë", theksoi më tej Paloka. Deklaratat e deputetëve të djathtë vijnë në një moment, kur Partia Republikane ka kërkuar zyrtarisht që të rifutet në qeveri pas tragjedisë së 15 marsit në Gërdec si dhe në momentin kur Kryeministri Berisha ka në tavolinën e tij një kërkesë të Anton Gurakuqit për shkarkimin e Nard Ndokës nga posti i ministrit të Shëndetësisë dhe një kërkesë të këtij të fundit për largimin e dy zv.ministrave Bushati e Gurakuqi.