E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi, Gruevski e Papandreu në Prespën greke

 

Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski dhe homologu i tij grek, Jorgo Papandreu do të takohen të premten në pjesën greke të territorit që rrethon liqenin e Prespës, ku pritet të nisin edhe bisedimet direkte për të zgjidhur konfliktin shumëvjeçar të emrit. Takimi do të zhvillohet gjatë organizmit të mbledhjes së liderëve rajonalë për ndryshimet klimatike, i cili është caktuar në territorin grek të Prespës. Është parashikuar që takimi mes dy liderëve të zhvillohet pas përfundimit të takimit rajonal për ndryshimet klimatike. Nisma e zhvillimit të një takimit të tillë dypalësh ka qenë e zyrtarëve maqedonas, të cilët po përpiqen të bindin Greqinë që të mos ushtrojë të drejtën e vetos gjatë samitit të ardhshëm të Bashkimit Evropian. Takimi vjen pasi edhe kryeministri Papandreu, i cili shquhet për një politikë më tolerante ndaj Maqedonisë në krahasim me atë të pararendësit të tij Kostas Karamanlis, ka kujtuar Maqedoninë se nëse nuk bën asnjë përçapje për të zgjidhur çështjen e emrit kushtetues, pas shumë refuzimeve të propozimeve të ndërmjetësit ndërkombëtar Nimiç dhe atyre greke, atëherë Greqia do të jetë e detyruar të përdorë sërish veton e saj për të penguar integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. Çështja që zgjat prej rreth dy dekadash ka kaluar nëpër duart e shumë kryeministrave nga të dyja palët dhe ende nuk ka gjetur zgjidhje. Shkupi pretendon që të ruajë emrin kushtetues të vendit, “Maqedoni”, ndërsa Athina e akuzon se me këtë zgjidhje po hap pretendime territoriale, pasi një rajon i saj mban të njëjtin emër, “Maqedoni”.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›