Pranga të kërkuarit për drogë
Vlorë Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë u finalizua me sukses operacioni i koduar “Havana”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim Elidon Isufi, 37 vjeç, banues në lagjen “ Lef Sallata”, Vlorë. Kapja dhe ndalimi i këtij u krye pasi është dënuar nga Gjykata e Apelit të Venecias, Itali, me 6 vjet 7 muaj e 4 ditë burg për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”. Bazuar në këtë vendim, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka njohur vendimin e Gjykatës Italiane dhe ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në Burg” për këtë shtetas. Kapja e tij u bë mbas informacioneve të marra në rrugë operative mbi vendndodhjen e këtij shtetasi, në një prej lokaleve të fshatit Dhërmi. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprime të mëtejshme.