E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompensohen 107 ish-pronarë me 670 mln lekë

Subjektet e shpronësuara përfitues sipas listës që po publikon gazeta do të kenë të depozituara shumat respektive në numrat e llogarive të tyre bankare të dorëzuara në AKKP, duke filluar nga data 18 gusht 2011

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave shpalli fitues për kompensimin financiar të këtij viti 107 subjekte nga 1012 aplikantë gjithsej. Në mes të përfituesve spikat edhe familja Çoba në Shkodër, të afërm të kryeparlamentares Jozefina Topalli (Çoba). Vendimet që kanë fituar këtë vit janë dhënë në periudhën 1992 deri në vitin 1994. Fondi i vënë në dispozicion nga Qeveria për këtë vit është 670 milionë lekë. Për vitin 2011 u shtua mundësia e kompensimit, gjë e cila bëri që edhe kërkesat të ishin të shumta. Nëse më parë, pavarësisht nga sipërfaqja e njohur kompensoheshe vetëm për 200 metra katror, tani kompensohesh deri për 600 metra katror, si dhe është hequr kushti që po të kishe pasur kthime në natyrë nuk përfitoje financiarisht. Sa më i hershëm në kohë të jetë vendimi, aq më e madhe është mundësia për t’u kualifikuar. Subjektet të cilët kanë aplikuar për kompensim në të holla me vendime të ish-komisioneve që datojnë para datës 23 shtator 1994 dhe nuk rezultojnë fitues, janë skualifikuar kryesisht për arsye se kanë përfituar kompensim (fizik apo financiar). Gjithashtu, këto subjekte kanë pasur probleme thelbësore hartografike në vendimet e tyre, të tilla që kanë vënë AKKP në pamundësi objektive të identifikimit të pronës së njohur dhe të kompensuar. Burimet zyrtare te AKKP njoftuan gjithashtu se subjektet e skualifikuara kanë pasur mungesa në dokumentacionin legjitimues si dëshmi trashëgimie, prokura etj., pa të cilat AKKP nuk mund të vazhdonte procedimin. Subjektet e shpronësuara përfitues sipas listës që po publikon gazeta do të kenë të depozituara shumat respektive në numrat e llogarive të tyre bankare të dorëzuara në AKKP, duke filluar nga data 18 gusht 2011.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›