Klithma e Muzeut të Shkencave
Eduart Shalsi
Një ditë vjeshte të disa viteve më parë, i shtyrë edhe nga një thirrje e brendshme për të parë një vend, tek i cili kisha shpenzuar shumë kohë këtu e njëzet e kusur vjet të shkuara, vendosa t’i tregoj tim biri Muzeun e Shkencave të Natyrës.
Kisha folur në telefon me drejtorin, një profesorin tim të vjetër, i cili po më priste me një padurim të pazakontë te dera e muzeut. Rikthehesha me nostalgjinë e një njeriu që shkon pas shumë kohësh në një vend që i ka lënë mbresa, dhe kuptohet, shoqërohesha dhe nga kurioziteti i djalit tim, që i jepte një tjetër dimension vizitës time. Që në fillim e kuptova se padurimi i profesorit nuk kish të bënte me mua, por me një shqetësim të madh të tij dhe të shumë profesorëve dhe punonjësve të tjerë të Muzeut dhe të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, në lidhje me një gjyq që po zhvillohej asokohe, midis profesorëve dhe pretenduesve të pronës, në të cilën ndodhej Muzeu.
Do ta mbaj gjatë në kujtesë atë vizitë dhe sot rikujtoj, jo pa trishtim, çdo detaj të bisedës me profesorin gjatë vizitës nëpër pavijonet e Muzeut, që vitet, në vend ta hijeshonin e kishin degraduar tepër. Nuk besoj të takoj përsëri në jetë, një profesor në rolin e ciceronit, lotët dhe kumbimi i shpirtit të të cilit ta përshkruajnë më mirë se çdo mjet tjetër, historinë e ngritjes dhe prag - shkatërrimit të një institucioni. Profesori nuk i tregonte thjesht tim biri ekzemplarët e ekspozuar, por i mëshonte fort, madje shumë fort, historisë së secilës prej tyre. Donte t’i tregonte se sa shumë mund, pasion dhe përkushtim ishte dashur për përgatitjen e atyre ekzemplarëve, gjë të cilën unë e dija fort mirë. Fliste për tim bir, por hera-herës kthehej, jo pa një ndjenjë revolte të brendshme, edhe nga unë, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, megjithëse e dinte se nuk ishte në kompetencën tonë zgjidhja e problemit. Fliste për kalvarin e përpjekjeve të jashtëzakonshme për të ruajtur Muzeun, jetonte me ankthin e përditshëm se një ditë, ky Muze do të shkatërrohej dhe në çdo fjalë e lëvizje, rrezatohej dhimbja për një vlerë që rrezikonte të zhdukej.
Më ka qëlluar të vizitoj mjaft muzeume në vende të ndryshme të botës. Dhe gjithmonë, përsiatjet mbi arritjet e njerëzimit dhe rrugën e mundimshme nëpër të cilën ato kanë kaluar, më shoqëronin vazhdimisht. Më ka impresionuar pafund mënyra sesi i demonstrojnë dhe i ruajnë vlerat që kanë krijuar, po ashtu si më ka magjepsur mënyra sesi i transmetojnë nga një brez në tjetrin. Dhe nëse prej tyre dilja me një ndjenjë admirimi, frymëzimi dhe respekti, e kujtoj fare mirë se atë ditë vjeshte, nga Muzeu i Shkencave të Natyrës kam dalë i pezmatuar dhe i dërrmuar moralisht.
Nuk kam si qëllim të merrem me gjyqin dhe as kam gjë me pronarët. Por, nuk mund të rri i qetë dhe indiferent, kur shoh se si po shkatërrohen pasuritë e krijuara nga disa breza. Nuk mund të jem i qetë kur shoh një shtet të tërë dhe një qeveri që nuk kujdeset për pasuritë e saj publike. Nuk mund të jem i qetë dhe indiferent, kur mësoj se Përmbarimi do të ekzekutojë një urdhër për kthimin e Muzeut tek pronarët dhe se qeveria nuk e ka marrë aspak mundimin të kujdeset për fatin e objekteve brenda. Klithma e djeshme e Muzeut, duhet të na vërë të gjithëve në alarm për të reflektuar mbi atë ç’ka po ndodh në Shqipëri me pasuritë e përbashkëta. Duke i shkatërruar pasuritë publike, nuk po bëjmë gjë tjetër veçse po shkatërrojmë veten tonë. Duke mos i mbrojtur, ne rrezikojmë të vetasgjësohemi.
Im bir, ndonëse i vogël, ka filluar të më pyesë për makina të shtrenjta, për shtëpi të mëdha e luksoze dhe për veshje firmato. Kam filluar t’i shpjegoj se nuk ka asgjë të keqe të jesh i pasur dhe të ëndërrosh për gjëra të tilla. Por, po i flas gjithnjë e më shumë për ideale dhe për vlera si ndershmëria, të punuarit shumë, disiplina, dinjiteti etj., duke dashur t’i instaloj të kuptuarit gradualisht, se materializmi nuk mund të përmbushë dhe kënaqë ekzistencën tonë dhe se jeta duhet mbushur me një rregull të artë që është edhe shenja më e lartë e shërbimit, të mendosh dhe punosh për të tjerët. Dhe im bir, mund të ketë çdo gjë në jetë, nëse do të ndihmojë sa më shumë njerëz të kenë atë që duan.
Dhe një ditë, kur ai të jetë rritur, unë do t’i tregoj sesi në Shqipërinë e tanishme, mirëqenia personale dhe individualizmi absolut konsideroheshin vlera, sesi korrupsioni moral dhe financiar dhe vizioni i cungët i atyre që kanë marrë përsipër drejtimin e shtetit, përpos shumë dëmeve që solli, prishi edhe Muzeun e Shkencave të Natyrës, të cilën ai pati fatin ta shikonte, ndonëse në gjendje të degraduar.