E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, sulm anarkist pas formimit të Ministrisë së Mbrojtjes civile

 

Një grup anarkistësh kanë kryer dje sulme agresive në qendër të Athinës, duke shkatërruar fasada xhamash të bankave, dyqaneve dhe duke dëmtuar makina të parkuara në atë zonë. Lajmin e ka njoftuar policia e Greqisë. Rreth 15 të rinj të maskuar, të ‘armatosur’ me shufra hekuri, pak pas mesditës, kanë sulmuar katër banka, dy librari dhe disa makina. Deri pak ditë më parë anarkistët janë përshkruar nga qeveria ‘Karamanlis’ si ekstremistë të majtë, por tani që e majta u rikthye në pushtet pas gjashtë vitesh, sulmet vazhdojnë pothuajse me të njëjtën frymë si më parë. Ndërsa godisnin bankat e libraritë, të rinjtë kanë hedhur pamflete duke kërkuar mbështetje për tre të rinj, që pritet të dalin para gjykatës, pasi janë akuzuar se i takojnë një grupi të së majtës ekstreme. Sulmet e anarkistëve janë bërë të shpeshta në Greqi. Shpesh gjatë ditës thyhen xhama të bankave apo goditen me shishe dhe gurë institucionet qeveritare. Ndërsa gjatë natës hidhen molotovë, kryesisht në kazanë plehrash. Sulmet janë kthyer në shqetësim të madh për banorët e Athinës por edhe për turistët, të cilët shpesh janë bërë dëshmitarë të situatave të dhunës. Sulmi i anarkistëve ndodhi vetëm dy ditë pas formimit të qeverisë së re, në të cilën përpos shkurtimeve u formua një ministri e re vetëm për mbrojtjen civile dhe emergjencat, duke iu referuar zjarreve dhe trazirave pothuajse të përditshme të të rinjve të pakënaqur. Kryeministri i ri grek, Jorgo Papandreu, vendosi formimin e kësaj ministrie pasi pasiguria civile u kthye në një nga problemet më të mëdha të Greqisë që në muajin dhjetor të vitit të kaluar, kur policia vrau një 15-vjeçar. Që atëherë nisën protestat e përditshme të dhunshme, fillimisht kundër policisë, e më pas u pasuruan me protesta për ekonominë, papunësinë, edukimin, imigrimin e shumë shqetësime të tjera sociale që mbërthyer Greqinë njëkohësisht me recesionin, duke mundësuar ndërrimin e pushtetit në zgjedhjet e parakohshme të 4 tetorit.      

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›