E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lihet në burg, i dyshuari për masakrën e Durrësit

Procesi
Vlonjati mohon krimin. Masa të larta sigurie për të shmangur ndonjë hakmarrje të mundshme

I dyshuari mohon krimin, gjykata vendos lënien në burg pa afat duke pranuar kërkesën e organit të akuzës që e konsideron atë si  autorin kryesor për vrasjen e trefishtë në Durrës. Seanca për vlerësimin dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj shtetasit Arjan çelaj, i njohur edhe me emrin Edison çelaj është zhvilluar, pak pas mesditës së djeshme, nën masa të larta sigurie, ndërsa i arrestuari ka vazhduar të qëndrojë në pozita mohimi ndaj krimit për të cilin akuzohet. Arjan çelaj, 35 vjeç, u arrestua mëngjesin e së shtunës në Vlorë nga antikrimi i Durrësit për vrasjen e Luan Currit, 43 vjeç, Ani Currit, 18 vjeç dhe Edmond Shemsit, 49 vjeç, në lokalin e Currëve në lagjen 9 të qytetit bregdetar. Pavarësisht mospranimit të krimit nga ana e tij, prokurori i çështjes, Ilir Turja, kërkoi vlerësimin e masës së arrestit si të ligjshme dhe lënien e çelës në arrest me burg për aq kohë sa hetimet vazhdojnë. Gjyqtarja e seancës, Enkelejda Softa, pasi dëgjoi të dyja palët vendosi lënien e 35-vjeçarit nga Vlora në arrest me burg. Ai akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese të më shumë se një personi, vepër e kryer në bashkëpunim, dhe mbajtje armësh e municionesh luftarake pa leje. Forca të shumta policie kanë bërë sigurimin paraprak të rrugës pranë gjykatës duke i paraprirë sjelljes së tij në godinën e drejtësisë nga toga e shoqërimit dhe më pas e kanë shoqëruar makinën e tij duke bërë të mundur shmangien e ndonjë të papriture nga familjarë të viktimave Curri. Ndërkaq, zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçi, ka deklaruar dje në një komunikim me mediat se strukturat e prokurorisë në bashkëpunim me strukturat tona janë duke vijuar hetimet për motivet, mundësitë e parandalimit dhe cilat janë shkaqet që çuan në masakrën e mbrëmjes së 27 janarit. Sipas tij, vrasja ka qenë e mirorganizuar dhe autorët e kësaj ngjarjeje kanë shfrytëzuar edhe kohën e keqe dhe mungesën e dëshmitarëve. “Ka pasur veprime shumë të kualifikuara procedurale të kryera nga strukturat e policisë së Qarkut të Durrësit në bashkëpunim me prokurorinë dhe me strukturat qendrore. Si rezultat i këtij bashkëpunimi, për këtë ngjarje është punuar 24 orë derisa është bërë i mundur identifikimi i autorit dhe dokumentimi i saj”, ka thënë Kuliçaj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›