E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga tre personave të dënuar nga gjykata

Autori i Lajmit: red.
Tre persona të shpallur në kërkim janë vënë në pranga nga Policia e Fierit. Burime nga policia e kryeqytetit bëjnë të ditur se nga Sektori i Kërkimeve janë vënë në pranga, brenda 24 orëve të fundit, tre persona, të cilët ishin shpallur persona në kërkim. Sipas të njëjtave burime, mësohet se është vënë në pranga Aurrel Perriu, 33 vjeç, banues i fshatit Karavasta. Ky person në vitin 2002, ka përdorur për prostitutë në Itali, vajzën me inicialet R. D. nga Kruja. Në 2003, e reja ka bërë kallëzim penal ndaj Perriut në komisariatin e policisë së Krujës. Gjykata e Krujës e ka dënuar me 21 muaj e 23 ditë burg, Aurel Perriun, i cili i fshihej drejtësisë dhe proceset gjyqësore, i ndiqte nëpërmjet avokatit të tij. Në pranga është vënë dhe Arben Gjika, 38 vjeç, banor i Fierit. Ky person ishte i shpallur në kërkim, pasi në kohën që ndodhej emigrant në Greqi, kishte tentuar të vriste një qytetar dhe drejtësia greke e ka dënuar në mungesë. Nëpërmjet bashkëpunimit që ka krijuar tashmë drejtësia shqiptare me homologët grekë, dënimi i Arben Gjikës është konvertuar nga drejtësia shqiptare duke e dënuar atë me tre vjet burg, vendim i marrë prej Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për akuzën e “vrasjes së mbetur në tentative, e kryer në kushte të tronditjes së thellë psikike”. I arrestuar është edhe Ardian Bana, 35 vjeç, nga fshati Boçovë i komunës Levan. Ky person ka qenë i shpallur në kërkim, pasi ka qenë i dënuar me tre vjet burg për vjedhje e shkatërrim të pronës së tjetrit. Ai ka qenë edhe një herë më parë i dënuar për këtë vepër penale.
Ky lajm është publikuar: 14/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›