E Shtunë, 31 Tetor 2026

800 kamera për të monitoruar numërimin e votave

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Për momentin nuk ka ende një kosto financiare të këtij procesi, kjo sepse më parë duket të ngrihet një grup ekspertësh teknikë për këtë çështje. Grupi i ekspertëve duhet të parashikojë në detaj procesin e instalimit të tyre, funksionimit dhe mbarëvajtjen e gjithë këtij procesi”

Kamerat pranë grupit të numërimit të votave do të jenë këtë herë zgjidhja për një prej pikave më të kontestuara të proceseve të kaluara zgjedhore. Për vite me radhë frika e abuzimeve në këtë fazë të procesit zgjedhor ka sjellë akuza, kundërakuza por dhe kontestime të shumta të rezultateve. Këtë herë, 700 deri në 800 kamera regjistruese do të shërbejnë për të monitoruar procesin e numërimit të votave në zgjedhjet e qershorit. Ndërkohë që Kodi Zgjedhor tashmë ka parashikuar zgjidhjen, pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në kuadër të kësaj baze ligjore, të japë zgjidhjen praktike për këtë çështje. Bazuar në nenin 94 të Kodit të ri Zgjedhor, KQZ ka për detyrë që të instalojë kamera regjistruese dhe monitorë të mëdhenj, në ekranin e të cilit do të shfaqet fleta e votimit, para se ajo të vlerësohet se për kë parti apo kandidat shkon vota. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Leonard Olli, sqaroi dje për gazetën se me nisjen e përgatitjeve të KQZ-së për procesin zgjedhor të qershorit, shumë shpejt anëtarët e këtij institucioni do të diskutojnë për realizimin e procesit të pajisjes me kamera dhe monitorë të qendrave të votimit.
Kostoja financiare
Por gjithë ky proces parashikon dhe një kosto financiare për gjithë pajisjet e nevojshme që do të përdoren. Olli sqaroi se për momentin nuk ka ende një kosto financiare të këtij procesi, kjo sepse më parë duket të ngrihet një grup ekspertësh teknikë për këtë çështje, të cilët do të japin një ide më të qartë të kostos. Grupi i ekspertëve duhet të parashikojë në detaje procesin e instalimit të tyre, funksionimin dhe mbarëvajtjen e gjithë këtij procesi. Zëdhënësi KQZ-së tha më tej se, pas kësaj, do të jetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili duhet të organizojë tenderin me kompani të interesuara që do të vënë në dispozicion materialet e duhura si kamerat, monitorët e etj.
Kodi Zgjedhor
Pika katër e nenit 94 të Kodit Zgjedhor parashikon se KQZ-ja vendos përdorimin e kamerave regjistruese dhe të monitorëve (ekraneve) për shfaqjen e fletëve të votimit përpara vlerësimit të tyre. “Kamerat me rezolucion të lartë instalohen mbi tavolinën e numërimit në mënyrë të tillë që bëjnë të mundur regjistrimin e vlerësimit të çdo flete votimi. Regjistrimi filmik transmetohet në kohë reale në monitorë të vendosur përballë vëzhguesve të subjekteve zgjedhore”, - thuhet në Kod. Aty sqartohet më tej se regjistrimi filmik i procesit ruhet në media elektronike dhe dorëzohet në KQZ së bashku me materialet e tjera zgjedhore. KQZ-ja ose, kur është e mundur, edhe KZAZ-ja, duhet të riprodhojë kopje të tyre dhe t i vërë në dispozicion të subjekteve zgjedhore kundrejt pagesës së një tarife që mbulon koston e riprodhimit. Ndërsa pika dy e këtij neni parashikon që përpara prezantimit të Vendit të Numërimit të Votave, subjekteve zgjedhore dhe KQV-ve përkatëse, KQZ-ja përgatit infrastrukturën e nevojshme logjistike të vendit të numërimit, përfshirë edhe ndriçimin e pandërprerë, për fillimin dhe mbarëvajtjen e procesit të numërimit të votave, sipas planvendosjes tip të miratuar nga KQZ-ja dhe udhëzimeve përkatëse të KQZ-së. Për këtë, KQZ-ja vendos tryeza pune për çdo grup numërimi, duke siguruar që ato të kenë hapësirë të mjaftueshme për kryerjen e procesit të numërimit të votave. Tryezat e punës vendosen në mënyrë të tillë që të jenë të shikueshme nga anëtarët e KZAZ-së dhe nga vëzhguesit, kandidatët ose përfaqësuesit e medies dhe të mundësojnë aplikimin e teknologjisë mbështetëse, sipas pikës 4 të këtij neni.
Ky lajm është publikuar: 14/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›