E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjatë vitit të kaluar hynë 799 milionë euro ose 6.5 për qind më pak



Të ardhurat valutore nga puna e emigrantëve shqiptarë jashtë vendit ranë në 799 milionë euro në vitin 2009, niveli më i ulët i shënuar që nga viti 2005. Lajmi bëhet i ditur nga statistikat e Llogarisë Korrente që u publikuan nga Banka e Shqipërisë. Në total, emigrantët sollën në atdhe 54 milionë euro më pak se në vitin 2008 dhe 173 milionë euro më pak se më 2007-n. Shkaku kryesor i rënies së të ardhurave nga emigracioni është rritja e papunësisë në vendet europiane, veçanërisht Itali e Greqi, ku jetojnë shumica dërrmuese e emigrantëve. Problemi më i madh është se tendenca e përgjithshme mbetet negative. Në tremujorin e dytë të vitit të kaluar, të ardhurat nga emigracioni u ulën me vetëm 4.4 për qind, ndërsa në tremujorin e katërt, rënia ishte 7.3 për qind në krahasim me një vit më parë. Të dhëna indirekte tregojnë se tendenca negative ka vijuar edhe në muajt e parë të këtij viti, ku acarimi i krizës financiare në Greqi ka mbyllur shumë vende pune për emigrantët apo ka sjellë rënie të përgjithshme të pagave. Rënia e remitancave sjell detyrimisht rritje të varfërisë në Shqipëri dhe rënie të konsumit. Kjo e fundit sjell edhe rënie të importeve e të të ardhurave të buxhetit të shtetit, i cili arkëton 70 për qind të të ardhurave totale, duke taksuar importet. Sipas të dhënave të doganave, volumi i importeve ka rënë ndjeshëm në muajt e parë të këtij viti, gjë që ka sjellë mosrritjen e të ardhurave fiskale të qeverisë. Nëse importet nuk rikthehen te rritja e fuqishme, qeveria mund të hyjë në vështirësi të mëdha financiare. Sipas vlerësimeve të FMN-së, qeveria shqiptare mund të realizojë një deficit buxhetor prej 5.6 përqindësh të PBB-së këtë vit, shifër kjo shumë më e lartë se deficiti i premtuar prej 3 përqindësh. Rrjedhimisht stoku i borxhit publik mund të vijojë rritjen më 2010-n, ndërsa presioni do të shtohet mbi monedhën kombëtare, lekun. Në këtë pikë, fati i Shqipërisë në vitet në vijim varet nga sasia e remitancave që do të sjellin emigrantët në atdhe.

BERZH krediton rindërtimin e hekurudhës përgjatë Korridorit 10

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) do të shqyrtojë kërkesën për një kredi prej 17.6 milionë euro për rindërtimin e hekurudhës të Korridorit 10, njoftoi dje BERZH. Fondet do të dedikohen për zëvendësimin e pragjeve të drurit me ato të betonit, si dhe për binarë të rinj me gjatësi prej 50 kilometrave, ndërsa BERZH-ja do të vendosë për to në fund të qershorit. Shfrytëzues i kredisë do të jetë ndërmarrja publike për infrastrukturë hekurudhore “Hekurudhat e Maqedonisë”, e cila është përgjegjëse për mirëmbajtjen e hekurudhave në vend. Vlera totale e projektit të rehabilitimit të hekurudhës është 19.7 milionë euro.

Fundi i botës sipas kalendarit të Majave do të vijë më 2012

E ndërsa të gjithë janë të mbërthyer nga ky skenar i mundshëm, ekspertët financiarë thonë se nëse apokalipsi vjen në 2012, do t'i kursejë botës një ortek të vërtetë borxhesh. Agjencia prestigjioze amerikane e Vlerësimit të Korporatave dhe vendeve, “Moody-s” paralajmëron se bota rrezikohet nga një katastrofë gjigante, për shkak të një sasie të stërmadhe borxhesh prej 700 miliardë dollarësh, të cilat janë marrë nga kompani të cilësisë së ulët, para vitit 2007 afati për pagesën e të cilave skadon mes viteve 2012 dhe 2015. Një tjetër problem është ai i maturimeve që në vitin 2012 do të arrijnë në 155 miliardë dollarë. Në të njejtën kohë kërkesa, parashikon “Moody-s” nga qeveritë e vendeve të zhvilluara për borxhe, do të jetë e lartë gjë që mund të sjellë pamundësi për rishitjen e tyre dhe falimentime në shkallë të gjerë. E në këtë telash gjigant, borxhlinjtë më të mëdhenj janë Shtetet e Bashkuara.

Interesat bankare
Banka e Shqipërisë

Përditësimi i fundit: 17.03.2010
Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 3.85%
12M 12-mujor 7.51%
6M 6-mujor 6.49%
3M 3-mujor 5.65%
1M 1-mujor 5.15%
1Ë njëjavor 4.71%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.85%
1Ë njëjavor 6.16%
o/n njëditor 6.08%
12M 12-mujor 9.30%
6M 6-mujor 8.00%
3M 3-mujor 7.15%

19 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›