E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat mashtrojnë BE-në, rrisin taksat për automjetet e përdorura



Ervin KOÇI

Shqiptarëve do t'u interesojë më shumë të blejnë automjete me vit prodhimi zero ose sa më të afërt, pasi automjetet me shumë vite përdorimi do të kushtojnë më shtrenjtë. Kush planifikon të blejë automjet të përdorur duhet t’i bëjë mirë llogaritë, pasi Ministria e Financave parashikon ta rrisë ndjeshëm taksën e mjedisit. Pas dy vjet negociatash, qeveria ka pranuar kërkesën e Bashkimit Europian për të ekuilibruar taksën doganore, duke ia “ngopur” konsumatorit shqiptar, i cili do të paguajë taksë me norma edhe më të larta. Formula e llogaritjes së taksës për makinat e importuara të përdorura ndryshon në disa elementë, ku hiqet taksa fikse për vitet e prodhimit (10 vjet), ndërsa koeficienti ka pësuar rritje. Tjetër masë e pashpjeguar mirë në relacion është fakti se taksa e makinës së importit do të paguhet kurdoherë që shitet mjeti, brenda territorit të vendit. Në këtë mënyrë, në lojë do të futet edhe Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor, e cila në çastin e pagesës së qarkullimit, individi që ka blerë makinë të përdorur, do të paguajë taksë ekstra. E thënë ndryshe, qeveria ia bën qejfin BE-së, duke hequr taksën fikse, e cila nuk shkonte më shumë se 60 mijë lekë, ndërsa rrit ndjeshëm koeficientët për makinat e përdoruara, ku nga 0.0048 që ishte për 10 vjet përdorimi, e bën me 0.5 për çdo vit përdorimi.

Formula
Bazuar në rekomandimet e Komisionit Europian se taksa e importit të mjeteve të përdorura është mbitaksë dhe nuk është në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, Ministria e Financave propozon rishikimin e mënyrës së vendosjes së kësaj takse, duke ruajtur qëllimin e kësaj takse – mbrojtjen e ambientit, por edhe duke respektuar dispozitat e MSA. Deri më sot, automjetet e përdorura taksohen: Taksë fikse për mjetet e transportit të udhëtarëve dhe mallrave, në dy nivele sipas viteve të përdorimit (deri dhe mbi 10 vjet) dhe sipas numrit të udhëtarëve apo kapacitetit mbajtës; Formulën (për kreun 8703 autoveturat): taksë fikse (që varion nga lloji i lëndës djegëse – 25,000 lekë për diesel dhe 20,000 lekë për benzinë) * cilindratën e motorit* koeficient në varësi të viteve të përdorimit. Ajo që propozohet është heqja e taksës fikse dhe ndryshimi i formulës, konkretisht te koeficienti i viteve të përdorimit. Ajo që propozon Ministria e Financave është “aplikimi i kësaj takse dhe në shitjet brenda vendit, si dhe shtrirjen e saj jo vetëm për mjetet e sipërpërmendura por edhe për mjetet e tjera me motor me djegie të brendshme (p.sh. buldozerë, ekskavatorë, etj., të kodeve tariforë 8429 dhe 8430, motoçikleta etj.)”. Me variantin e re, ministria parashikon të sigurojë mbi 3 miliardë lekë të ardhura në vit.

Targat e huaja
Në projektligj parashikohet falja e detyrimeve për automjetet me targa të huaja, duke e liberalizuar plotësisht lëvizjen e tyre. Sot këto automjete paguajnë 1 euro për 60 ditë qëndrimi, ndërsa mbi këtë periudhë paguajnë çdo ditë 1 euro. Sipas udhëzimit të mëparshëm, të gjithë automjetet që do të hynin në Shqipëri nuk do të lejoheshin të qëndronin në territorin e vendit më shumë se gjashtë muaj brenda një viti. Menjëherë sa paraqitet në kufi autoritete doganore bëjnë verifikimin e të dhënave të saj, pastaj e pajisin atë me një lejë të posaçme për periudhën që do të qëndrojë në vend. Në rastet kur automjetet mbërrijnë të pashoqëruara në pikat doganore, nëpërmjet formave të tjera të transportit, si me traget apo kontejnerë, pronari duhet të paraqitet pranë autoriteteve të policisë kufitare për të bërë regjistrimin e saj. Në rastet kur automjeti është në pronësi të një shoqërie tregtare, shoqëruesi duhet të jetë pajisur me një autorizim nga kompania. Sipas rregullave të reja që sapo kanë hyrë në fuqi, nuk do të përfitojnë regjim lejimi të përkohshëm ato automjete të cilat nuk janë të shoqëruara nga pronari. Po ashtu, autoritetet doganore nuk do të lejojnë që një person të importojë njëkohësisht më shumë se një automjet.

Taksat e automjeteve, në qarkun e Fierit nuk i paguajnë 8 mijë shoferë

Rreth 8 mijë automjete nuk kanë paguar taksat dhe detyrimet e tjera ndaj Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor të qarkut Fier. Një pjesë e mirë e këtyre mjeteve u përkasin institucioneve shtetërore. Bëhet fjalë për taksa të papaguara që nga viti 2000. Drejtoria Rajonale e Shërbimit të Transportit Rrugor në Fier, ka publikuar listën me emrat e debitorëve, si dhe ka deklaruar se në bazë të urdhrit të qeverisë ka nisur bllokimin e procedurave të targimit për shumë institucione që rezultojnë debitorë. “Është një numër i madh makinash që nuk kanë paguar taksat dhe detyrimet e tjera pranë institucionit tonë. Bëhet fjalë për 8 mijë të tilla. Ndër institucionet shtetërore që u janë shmangur detyrimeve është Bashkia Patos, kompania e naftës ‘Albpetrol’, si dhe dhjetëra komuna në Fier, Lushnjë dhe Mallakastër. Në këtë listë hyjnë edhe Ndërmarrja e Ujësjellësit, Spitali Rajonal i Fierit dhe ai i Lushnjës”,- tha drejtori i DRSHTRR-së Fier, Luan Baci. Ai sqaron se kompania “Albpetrol” ka numrin më të madh të makinave me taksa të papaguara, rreth 22 automjete, ndërsa Bashkia e Patosit nuk ka paguar detyrimet për gjashtë mjete. Drejtori Baci pohoi se ka njoftuar zyrtarisht të gjitha institucionet debitorë. “Në njoftimin institucional u është bërë i ditur edhe vendimi i Këshillit të Ministrave. Gjithashtu u është bërë i ditur edhe vendimi i bllokimit të çdo shërbimi për këto ndërmarrje deri në nisjen e procedurave të pagimit nga ana e tyre. Shuma e pavjelë nga taksat e këtyre makinave është e madhe dhe kjo do të rrisë së tepërmi treguesit financiarë të drejtorisë sonë”,- tha Luan Baci. Me automjetet që posedohen nga privatet, Drejtoria e Targave në Fier e ka më të lehtë, pasi me anën e task-forces ka mundur që të bllokojë disa prej tyre, ndërkohë që një aksion pritet të zhvillohet ditët në vijim për këtë qëllim.

19 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›