Pranga tre vëllezërve, plagosën 21-vjeçarin
SHKODËR Arrestohen në flagrancë 3 vëllezër, për veprat penale “ Vrasjes me paramendim e mbetur në tentative” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të ftohta”, pasi kanë tentuar të vrasin me armë të ftohtë, thikë, një shtetas duke e plagosur rëndë. Mhill, Nik dhe Sokol Plepi, përkatësisht 25, 24 dhe 21 vjeç, të tre këta shtetas lindur e banues në fshatin “Bardhaj ” Komuna Rrethina, Shkodër, në lagjen “Skënderbeg”, të qytetit Shkodër, pikërisht në vendin e quajtur Sheshi Prek Calit, pas një grindje, për motive të dobëta, kanë tentuar të vrasin me armë të ftohtë thikë shtetasin V. Pali., 21 vjeç, i cili për pasojë është plagosur rëndë dhe aktualisht ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë. Gjithashtu si pasojë e këtij konflikti janë plagosur lehtë, dhe shtetasit Valentin M. 23 vjeç dhe Edmond M. 18 vjeç, dy vëllezërit po trajtohen në Spitalin Rajonal Shkodër, jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje, policia ka mundur të sekuestrojë në cilësinë e provës materiale armën e krimit, thikë. Po kështu gjatë kontrollit të ushtuar në banesën e shtetasit Gjovalin Plepi, në fshatin Bardhaj, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një arkë metalike me rreth 200 copë fishekë automatiku. Policia ka bërë dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe materialet në ngarkim të tre vëllezërve Plepi iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “ Vrasjes me paramendim e mbetur në tentative, e kryer në bashkëpunim”, “Mbajtjes pa leje të armëve të ftohta” , si dhe ndiqet në gjendje të lirë babai i tyre Gjovalin Plepi, për “Prodhim e mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake”