Vetëplagoset 13-vjeçari në Zall Herr
Tiranë Një 13-vjeçar nga fshati Zall Herr i kryeqytetit ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e shkrehjes së pakujdesshme të një arme. H.Q., 13 vjeç, është gjetur nga disa banorë të fshatit në gjendje të rëndë, pasi ishte duke luajtur me një armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së shtunës në fshatin Zall Herr, ku 13-vjeçari ka qenë duke kullotur bagëtitë. Në rrethana ende të paqarta, ai ka gjetur një pistoletë me të cilën ka qenë duke luajtur në momentin e ngjarjes. Pa dashur 13-vjeçari ka shkrehur armën, duke u plagosur rëndë, pasi plumbi i ka përshkruar disa organe jetësore. I plagosuri është transportuar menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku ndodhet në gjendje kritike për jetën. Mjekët thonë se plumbi ka prekur 13-vjeçarin në mëlçi dhe mushkëri, duke i rrezikuar atij seriozisht jetën. Që prej mbrëmjes së të shtunës, i plagosuri po mbahet nën mbikëqyrje të rreptë nga ana e ekipit të mjekëve në reanimacionin e Spitalit Ushtarak. Menjëherë për ngjarjen ka nisur hetimet policia e kryeqytetit, e cila ka marrë në pyetje familjarët e të plagosurit, të cilët kanë sqaruar se nuk ishin në dijeni sesi mund të ishte gjendur arma e krimit nga 13-vjeçari. Rrethanat e sigurimit të pistoletës mbeten ende të panjohura për grupin e hetimit, pasi në momentet e ngjarjes ai ka qenë duke kullotur bagëtitë në pyllin pranë fshatit. Fillimisht u dyshua se arma me të cilën u vetëplagos 13-vjeçari mund të ishte arma e shërbimit të babait të tij, i cili është me detyrë ushtarak, por ky version u rrëzua nga ekspertiza dhe dëshmitë e familjarëve. Ajo që është me e rëndësishme aktualisht është jeta e 13-vjeçarit, i cili, sipas mjekëve, ndodhet në gjendje të rëndë.