Dy grabitës me maska sulmojnë me armë kazinonë
Autorët e maskuar shkaktojnë panik në kazinonë pranë Zogut të Zi dhe ikin që andej me 3 mln lekë. Ende të paidentifikuar
Tiranë Dy persona të armatosur dhe të maskuar, duke përfituar edhe nga errësira, ia kanë dalë të largohen me 3 milionë lekë të vjetra që grabitën nga një kazino në kryeqytet. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës në sheshin “Demokracia”, pranë Zogut të Zi në kryeqytet. Sipas dëshmive të punonjësve të kazinosë, rreth orës 22:00 të mbrëmjes në ambientet e saj kanë hyrë dy persona të maskuar dhe të armatosur, të cilët nën kërcënimin e pistoletave kanë kërkuar gjithë shumën e parave që ndodhej në arkë. Të ndodhur nën kërcënimin e armëve, punonjësit u kanë dorëzuar grabitësve shumën e 3 milionë lekëve të vjetra, e cila ishte gjithë xhiroja e ditës së premte. Me të marrë paratë, dy grabitësit janë larguar në rrugicat e lagjes, të ndihmuar edhe nga errësira. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilët fillimisht kanë marrë në pyetje punonjësit e kazinosë dhe disa klientë që ndodheshin aty në momentet e grabitjes. Punonjësit kanë treguar se bëhej fjalë për dy persona të armatosur dhe maskuar, të cilët ishin në moshë të re. Gjithashtu grupi i hetimit ka verifikuar edhe regjistrimet e kamerave të sigurisë së kazinosë, por pa mundur të sigurojë ndonjë element të vlefshëm për hetimin. Sipas burimeve mësohet se kamerat e sigurisë nuk kanë mundur të sigurojnë asnjë pamje të qartë të grabitësve, pasi në momentin e ngjarjes në ambientet e brendshme, por edhe në hyrje të kazinosë, ka qenë errësirë. Ekspertët kanë marrë gjurmët e gishtave që gjendeshin në arkën e kazinosë, pasi punonjësit kanë dëshmuar se një prej grabitësve është afruar deri pranë arkës, por ende nuk dihen rezultatet e ekspertizës. Ngjarja vazhdon të mbetet pa autor, ndërsa grupi i hetimit i ngritur për këtë ngjarje vijon të mbledhë informacione dhe të dhëna që deri tani nuk kanë mundur të hedhin dritë mbi autorët e dyshuar të grabitjes.