Pranga, u kap me 107 gramë kanabis
Një tjetër operacion antidrogë është realizuar nga policia e kryeqytetit, ku në pranga ka përfunduar një shpërndarës, i cili është kapur me 107 gramë hashash. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se seksioni kundër drogës, në orën 18.00 të së mërkurës, bëri arrestimin në flagrancë të Shkëlzen Meçollarit, 20 vjeç, banues në Kinostudio, i padënuar. Arrestimi i tij u bë, pasi gjatë një kontrolli të ushtruar ndaj tij te lokal "Bazeli" në Rrugën e Dibrës, atij iu gjet një pako e mbështjellë me natriban, me peshë 107 gramë, me gjithë ambalazh, ngjyrë jeshile, me lëndë narkotike të llojit kanabis sativa. Në këto kushte, antidroga vendosi arrestimin e tij në flagrancë, ndërkohë që në cilësinë e provës materiale iu sekuestruan 107 gramë kanabis, një celular dhe një kartë telefoni, që e përdorte për t‘u lidhur me klientët.