E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali, korrupsioni 50 mijë euro, nga qelia

Policia ka vazhduar ta zgjerojë rrethin e të akuzuarve për dhënien dhe marrjen e mitës, prej 50 mijë eurove që Besnik Brraka, një prej trafikantëve të drogës, ofronte në këmbim të uljes së dënimit të tij në Gjykatën e Krimeve të Renda. Motrës së Besnik Brrakës, Violanda Brraka, 52 vjeçe, i është komunikuar masa e sigurisë "arrest shtëpie", pasi gjatë përgjimeve rezultonte se do të ishte ajo personi që do t‘i jepte paratë prokurorit Aleksandër Plepi për të ndërmjetësuar për uljen e dënimit të Brrakës. Policia thotë se në asnjë rast përgjimi telefonik, nuk rezulton se bashkëshortja e prokurorit, Marsela Balili, që ka qenë edhe kryesuesja e trupës së gjyqtarëve për çështjen në ngarkim të Brrakës, të jetë e përmendur në biseda.
Çështja e prokurorit kishte dalë rastësisht, ndërsa policia përgjonte telefonin e një trafikanti, i cili nga qelia drejtonte operacionin për shitjen e një sasie heroine në Lezhë. Paralelisht me drejtimin e shitjes së drogës, ai bënte edhe ndërmjetësimin me prokurorin Plepi për lirimin e shokut të tij të qelisë. Policia ka ndërhyrë njëkohësisht në të dyja rastet, duke ndaluar prokurorin Plepi mesditën e së mërkurës, ndërsa ka ndërhyrë në mbrëmje, duke arrestuar katër persona për trafik droge, në momentin kur do të bëhej shkëmbimi i saj.
Dy ditë më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit realizoi operacionin e koduar "Ndërmjetësimi", ku u arrestuan tre persona. Sipas informacioneve zyrtare, prej disa javësh, antikrimi ekonomik kishte marrë informacion se Aleksandër Plepi ishte përfshirë në një aferë korruptuese, me qëllim për të ndihmuar një të burgosur dhe të akuzuar për trafik armësh e trafik droge, i cili gjykohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Kështu, duke përdorur metodat speciale të hetimit, grupi i punës ka mbajtur nën vëzhgim prokurorin për një periudhë kohe relativisht të gjatë, derisa ka rënë edhe në gjurmët e dy personave që kishin bërë ofertën me para. Pas mbledhjes së provave, Gjykata e Tiranës ka vendosur masën "arrest shtëpie" për tre persona. Sipas policisë, kjo masë u ekzekutua për Aleksandër Plepin, 35 vjeç, me arsim të lartë, prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Arben Velikon, 42 vjeç, lindur e banues në Vlorë dhe Panajot Dhiamandin, 33 vjeç, lindur e banues në Vlorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›