E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës-Kukës, Apeli ia lë në derë Gjykatës së Lartë

 

Fatos Mahmutaj

Japin dorëheqjen gjykatësit e Lulzim Bashës në Gjykatën e Apelit, dosja i mbetet në derë Gjykatës së Lartë. Gjykatësi kryesues Pajtim Hoxha, njoftoi dje në orën 09:00 të mëngjesit, se dy kolegët e tij përbërës të trupit gjykues, Tomë Ndreca dhe Dalip Bushi, jepnin dorë-heqjen vullnetarisht nga çështja. Duke e argumentuar shkurtimisht këtë vendim, treshja gjykuese pohoi se gjykatësit Ndreca dhe Bushi kishin gjykuar më parë një kërkesë tjetër të kësaj çështjeje, për të cilën ishin shprehur se prokuroria duhet të ndërpriste hetimet për shkak të tejkalimit të afateve procedurale. Sipas ligjeve në fuqi, gjykatësit e Faktit dhe Apelit nuk mund të shqyrtojnë më shumë se njëherë një çështje apo një person. Kështu që, sipas trupit gjykues të Apelit, dy gjyqtarët anësorë në çështje paraqitnin kërkesën për largim, e cila do të shqyrtohet nga kryetari i institucionit, që pritet të përzgjedhë me short dy gjykatës të tjerë zëvendësues. Pas kësaj trupi gjykues shpalli se seanca e ardhshme do të jetë në orën 09:00 të mëngjesit të së hënës së javës së ardhshme.
Ankimi
Lulzim Basha, ish-ministri i Transporteve, tashmë ministër i Jashtëm akuzohet nga prokuroria të ketë shpërdoruar detyrën duke kryer abuzime me tenderin për ndërtimin e rrugës "Durrës-Kukës". Tashmë hetimet për këtë çështje janë mbyllur dhe pas dy ditësh pritet që të nisë shqyrtimi i saj në Gjykatën e Lartë. Ndërkohë, i pandehuri kryesor i kësaj çështjeje, ministri Basha pretendon se organi i akuzës ka shkelur procedurat për sa i përket hetimeve. Sipas tij, prokuroria nuk e ka njoftuar për mbylljen e hetimeve, kërkesë që është cilësuar si e drejtë nga Gjykata e Tiranës, ndërsa është ankimuar në Apel nga prokuroria. Prokuroria pretendon se ka zbatuar me përpikëri ligjin, për sa i përket thirrjes së ministrit në këtë institucion për t'u njohur me mbylljen e dosjes dhe më pas, kur ai ka refuzuar të paraqitet, prokuroria pretendon, se i ka dërguar në mënyrë të ligjshme me anë të postës kërkesën për gjykimin e çështjes.
Çështja e gjykuar
Dy gjykatësit Ndreca dhe Bushi pohuan dje se kanë marrë pjesë në gjykimin e çështjes, ku i pandehuri Toma dhe ish i pandehuri Teliti në dosjen e rrugës "Durrës-Kukës", kishin paditur prokurorin për pavlefshmëri të zgjatjes të afateve të hetimit. Kërkesa e tyre u pranua nga Gjykata e Tiranë dhe më pas u la në fuqi nga Apeli i kryeqytetit, duke urdhëruar në këtë mënyrë prokurorinë të mbyllte hetimet për këtë çështje. Kështu, ky proces, bëri që hetimet për dosjen e rrugës, të mbylleshin më datë 6 nëntor të vitit 2008, ndërsa të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale për këtë çështje, të kryera pas kësaj date, u shpallën të pavlefshme. Pranimi nga Fakti i kësaj çështje bëri që organi i akuzës të ankohej në Apel, ndërsa një kolegj treanëtarësh i Shkallës së Dytë, në përbërje të së cilit ishin edhe dy gjykatësit Bushi dhe Ndreca vendosi ta linte në fuqi. Por prokuroria ka pohuar se pas vendimit të Faktit ka mbyllur hetimet për këtë çështje.

Gjykata e Lartë: Do vazhdojmë gjykimin sipas ligjit
TIRANE - Gjykata e Lartë pohoi dje se pavarësisht mosgjykimit të në Apel të kërkesës së ministrit Basha, ky institucion do të vazhdojë gjykimin në themel të çështjes në orën 10:00 të datës 30 janar, kur është caktuar të zhvillohet seanca e parë. Në këtë proces, të cilin do ta gjykojë Gjykata e Lartë si Gjykatë Fakti ndodhen të pandehur Lulzim Basha, i cili dyshohet se e ka konsumuar veprën penale gjatë kohës që kur ishte ministër i Transporteve, si dhe Andi Toma, ish-drejtor juridik i Ministrisë së Transporteve. Dosja për ta është dërguar në Gjykatën e Lartë në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa kryerja e procedurave në këtë institucion bëri që shorti për të përcaktuar gjykatësit të hidhej më datë 10 dhjetor, ndërsa data e parë e gjyqit u caktua të jetë pas dy ditësh. Gjykata argumentoi se koha prej më tepër se një muaji u nevojitej togave të zeza për t'u njohur me aktet në dosje dhe kryerjen e veprimeve të tjera në lidhje me këtë çështje. Ndërsa, për dy ish-zyrtarët e tjerë të Ministrisë së Transporteve Armando Teliti dhe Lejla Saraci, prokuroria vendosi pushimin e çështjes për mungesë të provave.                                   f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›