E Diel, 1 Nëntor 2026

Debat publik për TEC-in me qymyr në Porto-Romano

 

DURRES - Parku energjetik i Porto-Romanos ka mbledhur në një debat publik krerët vendorë të Bashkisë, Prefekturës dhe Qarkut Durrës-Krujë, të cilët kanë zhvilluar konsultime me inxhinierët e kompanisë italiane të energjisë ENEL. Të ftuar kanë qenë edhe arkeologë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ambientalistë. Sërish pika më e diskutuar ka qenë emetimi në mjedis i gazit CO2, i cili konsiderohet si një ndër faktorët kryesorë të ngrohjes globale. Për të gjithë llojet e tjera të gazrave, si dhe për sasinë e pluhurit, italianët dhanë garancitë se ato do të jenë brenda kufijve të lejuar në BE. Vangjush Dako nuk la pa përmendur sfidën e të gjithëve, të lançuar së fundmi edhe nga Presidenti Barak Obama, për të luftuar ngrohjen globale dhe për të minimizuar emetimin e gazrave ndotës. "Të shqyrtohet çdo detaj, në mënyrë që ky park të mos ndikojë në mjedis", tha Dako. Kryebashkiaku e cilësoi si të vjetërsuar përdorimin e qymyrit, duke bërë apel për një energji sa më të pastër. Ndërkohë sipas ambientalistëve dy njësitë e Parkut Energjetik të Porto-Romanos do të djegin çdo ditë 5 mijë ton qymyr. Kjo, sipas tyre është një shifër kolosale dhe shumë shpejt me të hyrë në fuqi Protokolli i Kiotos, Shqipëria do të përballet me penalizime të rënda.                                      o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›