E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prangosen 3 punonjës të uzinës së naftës

BALLSH – Operacioni “Gërshërët 7” i policisë së Fierit çon në pranga 3 punonjës të uzinës së Ballshit.

Pas hetimeve të nisura prej kohësh për bashkëpunim të punëtorëve të uzinës në vjedhjen e lëndëve djegëse që prodhohen aty ka çuar policinë në arrestimet e djeshme. Agjentët e Antikrimit Ekonomik, pas hetimeve për këto dyshime kanë realizuar aksionin e djeshëm, duke kryer arrestimin me akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën. Spartak Shehaj, 41 vjeç, nga Fieri, Hedije Asimetaj, 42 vjeçe nga Ballshi dhe Klodian Saliaj, 22 vjeç nga fshati Panahor janë kapur në flagrancë duke përfituar një sasi të madhe gazoili. Sipas policisë, Shehaj kryente detyrën e shefit të repartit në sektorin 16\4 në kombinatin e përpunimit të naftës në Ballsh, ndërsa Asimetaj ishte punëtore ngarkimi në këtë repart. Ata akuzohen se kanë ngarkuar në autobotin me targë FR 3850 B një sasi prej rreth 2000 litra gazoil. Kjo sasi rezultonte më tepër se sasia e pasqyruar në faturën tatimore të shitjes së sasisë tjetër të ligjshme. Sasia e lëndës djegëse gazoil ishte ngarkuar për llogari të Drejtorisë së Shpërndarjes së Karburanteve në Fier, ku do të transportohej nga Klodian Saliaj. Policia pas verifikimit të kryer nga ana e specialistëve edhe të dokumentacionit ka sekuestruar autobotin, si dhe sasinë e lëndës djegëse. Materialet e kësaj ngjarjeje i janë dorëzuar Prokurorisë së Fierit për veprën penale “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”.         m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›