E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi i biznesit, përplasje në Kuvend

Rihapet debati mbi projektligjin e ri “Për procedurat tatimore”. Deputetët e komisionit të Ekonomisë kanë shqyrtuar dje, nen për nen projektligjin.

Edhe këtë herë deputetët e opozitës kanë kundërshtuar projektligjin e ri dhe sidomos nenin, që parashikon hetim tatimor nga inspektorët tek bizneset të cilët dyshohen se, kryejnë evazion fiskal apo krim ekonomik. Më përpara ky hetim kryhej nga policia gjyqësore. Sipas deputetëve të opozitës ky nen nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të komplikojë edhe më shumë marrëdhëniet mes tatimorëve dhe biznesit. “Atmosfera e tatimeve me biznesin është bërë shumë e rëndë dhe funksioni i hetimit tatimor e vështirëson akoma më shumë. Ka një Polici Gjyqësore që mund t’i kryejë këto hetime”, u shpreh dje deputeti socialist Shpëtim Idrizi. Por nuk kanë ndarë të njëjtin mendim me të përfaqësuesit e Ministrisë së Financave. Sipas Lindita Rusmajlit, strukturat e hetimit tatimor kanë si funksion parësor, mbledhjen e informacionit tatimor, hetimin tatimor dhe ndjekjen dhe zbatimin e masave shtrënguese. Sipas projektligjit të ri punonjësit e njësive të hetimit tatimor, gëzojnë atributet e Policisë Gjyqësore në përputhje me Kodin e Procedurave Penale dhe ligjin për organizimin dhe funksionim e Policisë Gjyqësore.
Projektligji
Nuk është hera e parë që projektligji “Për procedurat tatimore”, është bërë objekt debatesh. Pak kohë më parë të thirrur në komisionin e Ekonomisë, përfaqësues të biznesit kanë kundërshtuar fort draftin e ri të qeverisë. Pika më e debatuar e këtij projektligji mbetet neni i gjobave që përcakton se, përpara se të depozitojë kërkesë-padinë për shqyrtimin gjyqësor, tatimpaguesi duhet të paguajë 15 % të vlerës së gjobave. Biznesi ka kërkuar që ky nen të hiqet. Sipas tyre, aplikimi i këtij neni do të ashpërsonte marrëdhëniet shtet-biznes. Heqja e këtij neni bëhet edhe më e domosdoshme po të merret parasysh edhe fakti që është hequr si shkallë apelimi Komisioni i Apelimit të Tatimeve në Ministrinë e Financave, i cili kishte një farë pavarësie relative në vendimmarrje, pasi biznesi kishte përfaqësuesit e tij në të. Por një tjetër nen që është parë problematik nga biznesi, është neni 68, ku bëhet fjalë për “Vlerësimin Tatimor”. Sipas formulimit të këtij neni, administratës tatimore i lind kurdoherë e drejta të rivlerësojë një deklaratë tatimore, kur ajo konstaton apo dyshon se, vetëvlerësimi është i pasaktë. Në këto kushte biznesi ka sugjeruar që në pikën 4 të këtij neni duhet saktësuar në mënyrë shumë të qartë se, një deklaratë tatimore mund të rivlerësohet vetëm në përfundim të një kontrolli tatimor në vend dhe në asnjë rast tjetër.

Neni 105

• Struktura dhe funksionet e njësive të Hetimit Tatimor
Strukturat e Hetimit Tatimor janë njësi specializuara të hetimit dhe zbatimit në administratës tatimore qendrore.
• Strukturat e Hetimit Tatimor kanë si funksion parësor:
- mbledhjen e informacionit tatimor;
- hetimin tatimor
- ndjekjen dhe zbatimin e masave shtrënguese.
• Punonjësit e njësive të Hetimit Tatimor gëzojnë atributet e Policisë Gjyqësore në përputhje me Kodin e Procedurave Penale dhe ligjin “Për organizimin dhe funksionim e Policisë Gjyqësore”.
• Punonjësit e strukturave të Hetimit Tatimor që ushtrojnë funksionet e ndjekjes dhe ekzekutimit të masave shtrënguese, pajisen me armë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›