Prangoset gardisti për vrasjen e 21 janarit
Një gardist është vënë në pranga mbrëmjen e së hënës, i akuzuar si autor i një prej vrasjeve në demonstratën e 21 janarit, ku u vranë 4 demonstrues, raportojnë mediat tiranase.
Me urdhër të Prokurorisë në pranga është vënë Agim Llupo, shefi i shtabit të njësisë speciale të Gardës se Republikes pasi organi i akuzës e akuzon atë se ka qëlluar për vdekje demonstruesin Ziver Veizi.
Burime nga Prokuroria bëjnë të ditur vetëm sot se provat e ekspertizës balistike vërtetuan se Veizi u vra nga fishekët e automatikut MP 5, armë kjo që u përdor nga gardisti Agim Llupo që ndodhej në detyrë në 21 Janar.
Ziver Veizi nga Gjirokastra u vra më 21 janar, së bashku me 3 shtetas të tjerë, Hekuran Dedën, Faik Myrtaj dhe Aleks Nikën. Në momentin që u qëllua, Vieizi jashtë rrethimit të godinës së kryeministrisë.
Pas ngjarjeve të 21 janarit, Prokuroria lëshoi urdhërarrest për 6 gardistë. Urdhërarresti për 6 drejtues të Gardës shkaktoi jo pak polemika që prej ditës së demonstratës, ku kryeministri hyri në një konflikt të hapur me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, shkruan BalkanWeb.
Pas demonstratës, kryeministri shprehu vlerësim të lartë për punën e Gardës së Republikës, ndërsa akuzoi kryeprokuroren se shkeli paktin për gardistët. Një ditë më parë Berisha theksoi se nuk do të lejojë ndalimin e hetimeve për zbardhjen e 21 janarit, që sipas tij ishte grusht shteti. Berisha premtoi gjithashtu dhe zbardhjen e 4 vrasjeve.
Ndërkohë opozita prej ditësh ka kërkuar arrestimin e gardistëve dhe dorëzimin e tyre para organeve të drejtësisë.