E Diel, 1 Nëntor 2026

Europol: Grupet shqiptare, trafik droge e armësh në BE

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 05-05-2011 11:06

Për Europolin, grupet kriminale shqiptare zënë një peshë të rëndësishme në trafikun e armëve, drogës, por edhe të monedhave të falsifikuara në vendet e BE-së. “Shqipfolësit, turqit dhe vendet e ish- Bashkimit Sovjetik janë duke kërkuar të zgjerojnë interesat e tyre në BE, dhe mund të shfrytëzojnë mundësitë e pranimit të mundshëm të Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën shengen, por edhe lëvizjen e lirë për në BE për shtetet e Ballkanit Perëndimor, si Ukraina dhe Moldavia në një të ardhme” – thuhet në këtë raport. Më tej vijohet se grupet kriminale shqipfolëse dhe lituaneze, së bashku me bandat e motoristëve janë kthyer në grupet kryesore për shpërndarjen e drogës. “Rrugët e Ballkanit shfaqin një shkallë të lartë të diversitetit dhe fleksibilitet. Dërgesat e heroinës kalojnë mes Adriatikut, pas kalimit tranzit në Greqi, vazhdojnë nëpërmjet Bullgarisë dhe Rumanisë. Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova, janë vende të rëndësishme për ruajtjen dhe ripaketimit e lëndëve narkotike. Grupet turke dhe shqiptare mbeten më të shquar në heroinë. Grupet turke kanë krijuar stoqet heroine në Ballkanin, të cilat presin të nisen drejt Europës” – shkruhet në raportin e Europol. Në raport përmendet dhe fakti se grupet kriminale shqiptare, me anë të të ardhurave të tyre, financojnë organizatat e dala nga ish-Ushtria Çlirimtare e Kosovës. “Krimi i organizuar i shqipfolësve është me të vërtetë në krye të trafikut të drogës. Brenda BE-së, grupet shqipfolëse janë aktive në trafikun e kokainës, heroinës, të drogës sintetike dhe trafikimit të canabisit. Burimet financiare të këtyre grupeve kanë mundësuar ata që të bashkëveprojnë me organizata kriminale, në zonat që janë burim për drogat e paligjshme, si dhe për identifikimin e mundësive të reja për aktivitet kriminal. Disa nga të ardhurat e tyre janë të destinuara për të mbështetur organizatat e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” – bëhet e ditur në raportin e Zyrës Europiane të Policisë. Ndërkohë, Europol raporton edhe për qarkullimin e monedhave të falsifikuara, ku sipas tyre prodhimet me cilësinë më të lartë kryhen në Bullgari, por prodhuesit bullgarë nuk janë të fuqishëm në qarkullimin e këtyre monedhave, kështu që bashkëpunojnë me shumë grupe të tjera ku përfshihen dhe shqiptarët. Por sipas tyre, grupet shqipfolëse janë të përfshira dhe në trafikun e armëve. “Grupe italiane të krimit të organizuar, të tilla si "Ndrangheta” dhe grupet shqiptare, kanë qenë tradicionalisht të përfshirë në tregtinë e paligjshme të armëve” – thuhet në këtë raport. Në fund të raportit prej 38 faqesh, ku pjesa me e madhe e tyre i kushtohet vendeve të Ballkanit Perëndimor, thuhet se grupet shqipfolëse janë të njohur për përdorimin e dhunës ekstreme. Sipas Europolit, shumë anëtarë të grupit kanë një background nga shërbimet sekrete, policia apo paramilitarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›